Flamuj të BE-së në Komisionin Europian. Foto: Sébastien Bertrand/Wikimedia

BE: Politikëbërësit e Kosovës të Tregojnë Udhëheqje të Përgjegjshme

Misionet e BE-së në Kosovë e kanë quajtur “një hap shumë të rëndësishëm” formimin e institucioneve pas disa javë paqartësish politike.

Kosova përballet me sfida të vështira, duke përfshirë korrupsionin dhe sundimin e dobët të ligjit, papunësi të lartë dhe performancë të dobët në sistemin arsimor, të cilat, sipas BE-së, janë pengesa serioze për zhvillimin e ekonomisë, për të tërhequr investime të qëndrueshme dhe për të krijuar mundësi punësimi.

Bashkimi Europian nxit Qeverinë e sapoformuar të fillojë menjëherë të punojë për forcimin e institucioneve dhe zbatimin e reformave të nevojshme, veçanërisht në sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe përmirësimin e ekonomisë, në përputhje me Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, Agjendën e Reformave Europiane, dhe marrëveshjeve tjera përkatëse mes BE-së e Kosovës.

“Është thelbësore që Kosova të punojë për kriteret e mbetura për liberalizimin e vizave duke ecur përpara në marrëveshjen për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi dhe duke ndërmarrë veprime kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, thuhet në deklaratën e përbashkët të misioneve të BE-së në Kosovë.

Bashkimi Europian pret që Qeveria e re të luajë një rol aktiv dhe konstruktiv në rajon dhe të punojë së bashku me Beogradin për të siguruar që një hap para është bërë në dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, të lehtësuar nga BE-ja.

“Marrëveshjet e arritura në këtë kontekst duhet të zbatohen plotësisht”, thuhet në deklaratë.

“Është e rëndësishme që Kosova të vazhdojë të ecë përpara në rrugën e saj europiane. Kosova nuk ka kohë për të humbur. Politikëbërësit e Kosovës duhet të tregojnë udhëheqje të përgjegjshme dhe të përmbushin pritjet e qytetarëve”, thuhet më tej në këtë letër.

Ndryshe, Qeveria e re e Kosovës, e drejtuar nga Ramush Haradinaj, është miratuar të shtunën në Kuvend.