BE-ja do Ulje Tensionesh

Zyra e Federica Mogherinit, përfaqësueses së lartë për Siguri dhe Politikë të Jashtme në një deklaratë thotë se është e brengosur nga ato që u panë dje në Kuvendin e Kosovës.

“Kuvendi i Kosovës zgjodhi Hashim Thaçin President të Kosovës në një atmosferë të tensionuar dhe përçarëse. Skenat që kemi parë dje në Kuvend në një ngjarje të tillë janë tepër shqetësuese,” thuhet në deklaratën e Zyrës së Mogherinit.

BE-ja më tutje thotë se veprimet e dhunshme të çfarëdo forme dhe të kryera nga kushdoqoftë janë të papranueshme.

Sipas BE-së retorika nxitëse vetëm thellon ndarjet dhe e bën dialogun më të vështirë.

BE-ja në deklaratë thekson që pret nga të gjithë liderët politikë kosovarë që të sillen me përgjegjësi dhe të ulin tensionet.

Dje opozita u mundua ta pengojë zgjedhjen e Thaçit President me aktivizim të lotsjellësit në Kuvend dhe protestë jashtë tij, ndërsa rrugët që çonin drejt objekteve të kuvendit dhe qeverisë u bllokuan nga policia.

http://kallxo.com/live-zgjedhja-e-presidentit/