Foto, Reporter.al

Basha: Edi Rama u shpalli luftë qytetarëve të tij

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, u është drejtuar me një fjalim protestuesve të cilët po qëndronin para Parlamentit të Shqipërisë që nga ora 17:00.

Basha tha se Rama me urdhrin për të sulmuar protestuesit i ka shpallur luftë qytetarëve të tij.

“Sot Edi Rama ka urdhëruar sulmin ndaj fëmijëve, nënave, grave shtatzëna, kundër Kuvendit të krimit. Edi Rama i ka shpallur luftë qytetarëve të vet. Në emër të PD-së në Shqipëri, i themi Edi Ramës se me këtë akt shpalli luftë me qytetarët e tij dhe koston do ta ketë 100%. Ne nuk frikësohemi, ligështohemi sepse po luftojmë për një kauzë të drejtë, për fëmijët e shqiptarëve, për të ardhmen e tyre, për demokraci, për zgjedhje të lira, për një republikë pa krim”, tha Basha.

Ai ftoi të gjithë të mos dorëzohen.

“Ky vend nuk pranon të pranojë tiraninë. Gegë e Toskë, myslimanë e krishterë, le të marrim fatin tonë dhe vendit tonë. Beteja jonë është e pa kthim”, tha Basha.

Protestuesit po qëndronin para Parlamentit deri sa brenda po mbahej seancë.

Protestuesit kanë tentuar të thyejnë kordonin policor dhe të hynë brenda parlamentit por të njëjtit janë përballur me gazin lotsjellës.