Tensione në Kuvendin e Shqipërisë për situatën në Kosovë, deputeti i PD-së bllokon foltoren - VIDEO

Seanca e sotme plenare në Kuvendin e Shqipërisë është nisur me tensione pasi deputeti i Partisë Demokratike, Asllan Dogjani ka kërkuar fjalën për procedurë që të flasë për situatën e krijuar në Kosovë pas rrëmbimit të tre policëve të Policisë së Kosovës nga forcat serbe.

Ai tha se Shqipëria duhet të mbajë qëndrim për ngjarjet e djeshme në Kosovë.

“Të mbajmë një qëndrim sa i përket situatës në Kosovë, dhunë së ushtruar nga grupet paramilitare dhe grupet e organizuara kriminale ndaj KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe qytetarëve të Kosovës. Sot situata ka agravuar më tej, forcat speciale të Serbisë janë futur brenda territorit”- deklaroi deputeti.

Më pas kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla i ndërpreu fjalën deputetit Dogjani duke i thënë se “tashmë këto janë komente të tepërta”.

“Kjo nuk është procedurë, ju lutem e bëtë kërkesën tuaj, tashmë këto janë komente të tepërta”- është shprehur Nikolla.

Ky veprim i kryeparlaentares e revoltoi deputetin teksa kërkonte me ngulm që të fliste duke u afruam më pas deri tek foltorja derisa ju dha fjala.

Në fjalën e tij, Dogjani tha se ka kërkuara në seancën e kaluar që Kuvendi të mbajë një qëndrim pasi sipas tij rrëmbimt të policëve dje situata është agravuar.

“Unë kam kërkuar në seancën e kaluar që Kuvendi të mbajë një qëndrim. Situata ka agravuar, forcat speciale serbe janë futur në Kosovë dhe kanë marrë tre policë peng. Kemi kryeministrin e Shqipërisë i cili sillet si kryetar i OKB-së dhe nuk vie këtu të jep informacion, çfarë platforme u ka dërguar gjermanëve, francezëve për vëllezërit tanë në Kosovë”- deklaroi Dogjani.

Deputeti ka kërkuar që të mblidhet Komisioni për Politikë të Jashtme, të dalin me një qëndrim dhe të dënojnë sulmet e Serbisë ndaj Policëve të Kosovës.

“Kërkoj të mblidhet Komisioni për Politikë të Jashtme sepse ju vetë më thatë dakord, në fund të kësaj seance të dalim me një qëndrim dhe të dënojmë sulmet e Serbisë ndaj policëve të Kosovës. Kjo është se çka kam kërkuar dhe mos më thuaj dakord por mblidhni komisionin dhe të flasim. Duhet patjetër të dalim me një qëndrim në fund të kësaj seancë”- ka deklaruar Dogjani i PD-së.

Policia e Kosovës ka konfirmuar dje se tre zyrtarë policorë kufitar patrullues janë siç thonë ata kidnapuar nga forcat serbe.

Policia e Kosovës (PK), në këtë rast njësia policore patrulluese e kufirit ka qenë me detyre në pikë statike në vendin e quajtur Tresave/Bare, thellë brenda në territorin e Republikës së Kosovës, për të parandaluar shfrytëzimin e rrugëve ilegale, të cilat shfrytëzoheshin nga grupet kriminale për kalim ilegal dhe kontrabandë.