Banorët e ‘Kodrës se Trimave’ në hall nga qarkullimi i kamionëve - FOTO

Banorët e lagjes “Kodra e Trimave” të Prishtinës po ankohen se në një rrugë të kësaj lagjeje, shenja e trafikut ku parandalon qarkullimin e mjeteve me peshë mbi 3.5 ton nuk po respektohet.

Qarkullimi i mjeteve të rënda përgjatë rrugës ‘Drenica’ të kësaj lagjeje po i shqetëson banorët brenda shtëpive të tyre, për shkak të dridhjeve që shkaktojnë kamionët.

Berat Halili, banor i lagjes ‘Kodra e Trimave’ ka thënë për KALLXO.com se ka disa vite që ballafaqohen me këtë problem, por që kërkesat e tyre kanë hasur në vesh të shurdhër.

Sipas tij, banorët e shtëpive përreth kësaj rruge ndihen të rrezikuar për dëmet materiale që mund të shkaktoj qarkullimi i mjeteve me pesha të rënda.

“Unë me familjen time, e besoj e tërë lagjja janë të shqetësuar nga zhurma e sidomos nga dridhjet që ju shkaktohen shtëpive e që me kohë do të pasojnë edhe dëmet materiale të shtëpive”, tha Halili.

Banorët e kësaj lagjeje në vitin 2016-të kishin nënshkruar një peticion drejtuar kryetarit të Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, Drejtorisë së Shërbimeve Publike dhe Policisë së Kosovë.

“Për çudi sa herë që ankohemi në Polici, të nesërmen dikush i largon qëllimisht shenjat e komunikacionit që tregojnë se ndalohet qarkullimi i mjeteve deri në 3.5 tonë”, ka thënë ai.

“Bashkë me 40 banorë të tjerë të lagjes kemi nënshkruar peticion, por pa asnjë efekt”, shtoi Halili.

KALLXO.com ka kontaktuar Komunën e Prishtinës për këtë çështje, por të njëjtit nuk janë përgjigjur.