Mitrovica - Foto: Petrit Rrahmani

Bahtiri Priti Komandantin e Ri të Detashmentit të Përbashkët të KFOR-it në Veri

Kryetari i Komunës së Mitrovicës Jugore, Agim Bahtiri, ka pritur për herë të parë në një takim komandantin e ri të Detashmentit të Përbashkët të KFOR-it  në Veri, kolonelin Saudan Dominique.

Sipas një komunikate të Komunës, ata kanë biseduar për zhvillimet aktuale në Mitrovicë dhe gjendjen e sigurisë .

Bahtiri e ka vlerësuar lartë bashkëpunimin e Komunës më pjesëtarët e KFOR-it. Ai tha se gjendja aktuale është e qetë dhe pa probleme.

“Në komunën e Mitrovicës janë bërë hapa të mëdhenj në stabilizimin e plotë të gjendjes së përgjithshme. Tani kur rezultatet në këtë drejtim janë të dukshme, kemi pas mundësi më të mëdha të punojmë në drejtim të zhvillimit ekonomik, ku kemi arritur rezultate të prekshme”, citohet të ketë thënë i pari i Mitrovicës.

Sipas tij, situata e qetë është në saje të angazhimit dhe përkushtimit para së gjithash të vetë qytetarëve të të gjitha përkatësive etnike.

Kryetari Bahtiri gjithashtu ka njoftuar komandantin Dominique se ka bërë përpjekje të vazhdueshme që të inkurajojë kontakte me kryetarët e komunave në veri të Kosovës.

Njëjtë kishte vepruar edhe lidhur me raportet ndërmjet qytetarëve të komunave veriore dhe atyre në pjesën jugore të Ibrit, duke shtuar se ka lëvizje pozitive në ketë drejtim.

Sipas komunikatës, koloneli Saudan Dominique është shprehur të jetë i kënaqur me atë që dëgjoi nga kryetari Bahtiri duke shtuar se bashkëpunimin e mirë të deritashëm ndërmjet Komunës dhe Detashmentit të Përbashkët të KFOR-it Veri vetëm sa do ta intensifikojë me qëllim të realizimit të kërkesave të qytetarëve të të gjitha përkatësive etnike për të jetuar në paqe dhe për të pasur një jetë sa më të mirë.