Policia në veri - 28.05.2019. Foto: Kallxo.com

Bahtiri - Thirrje për qetësi qytetarëve të Mitrovicës Jugore

Kryetari i Mitrovicës Jugore, Agim Bahtiri ka thënë që e mbështetë aksionin e Policisë së Kosovës në komunat veriore.

Bahtiri i ka bërë thirrje  qytetarëve të Mitrovicës Jugore që të qëndrojnë të qetë duke shtuar se ky është aksion kundër krimit të organizuar.

“Mbështes aksionin e Policisë në Veri. Apeloj te të gjithë qytetarët e pjesës së veriut që të rrinë të qetë dhe mos ta konsiderojnë këtë aksion si kundër tyre, pasi është aksion vetëm kundër njerëzve që merren me krim të organizuar, duke përfshirë serbë dhe shqiptarë”, ka thënë shkruar në Facebook Bahtiri.

Tutje Bahtiri ka bërë thirrje nga qytetarët e Mitrovicës që ti ofrojnë mbështetje Policisë së Kosovës sepse sipas tij ky aksion është në të mirën e tyre.

“I ftoj gjithë banorët e pjesës së veriut që t’i japin mbështetje policisë së Kosovës, sepse është në interesin e tyre që njëherë e përgjithmonë të zbatohen ligjet e Republikës së Kosovës, që janë më të favorshmet për minoritete në Evropë .Prandaj, edhe njëherë kërkoj qetësi dhe përkrahje për Policinë e Kosovës që po bën një punë të mrekullueshme. Përkrahja e aksionit është në vet interesin e qytetarëve të veriut”, ka  thënë ai.

Sipas Bahtirit gjyqësia do të jap  fjalën përfundimtare për ta vënë drejtësinë në vend, mirëpo ky aksion është në respektim të qytetarëve të dy komuniteteve.

“ Edhe njëherë po them se Policia e Kosovës është në shërbim të të gjithë qytetarëve pavarësisht nacionalitetit, e sidomos në pjesën veriore që është duke e respektuar shumë minoritetin serb”, ka thënë ai.

Një aksion i gjerë i Policisë së Kosovës kundër kontrabandës ka nisur mëngjesin e sotëm në veri të Mitrovicës.Deri më tani numri i të arrestuarve ka arritur në 10.

KALLXO.com nga vendi i ngjarjes ka siguruar pamje ku shihen njësi të shumta të Policisë së Kosovës. KALLXO.com mëson se cak i këtij aksioni janë rrjetet e kontrabandës së mallrave nga Serbia për në Kosovë. Janë realizuar disa bastisje në disa lokacione ndërsa aksioni është duke vazhduar.

Një pjesëtar tjetër i Policisë është plagosur në aksionin e sotëm i cili ka nisur në orët e hershme të mëngjesit dhe që është duke vazhduar në pjesën veriore të Mitrovicës.

Ky është polici i dytë i plagosur gjatë këtij aksioni ndërkohë që ndihmë mjekësore kanë kërkuar edhe dy policë të tjerë të cilët janë goditur me mjete të forta. KALLXO.com mëson se njëri polic është plagosur në dorë ndërsa tjetri në shpinë.