Avokaturës së Shtetit i Pështjellohet Lënda, Kërkon Shtyrjen e Seancës

Nëpër gjykatat e Kosovës çdo ditë shtyhen një numër i caktuar i seancave gjyqësore për arsye të ndryshme, por një rast i ndodhur së fundi në Gjykatën Themelore të Prishtinës është i pa-precedent dhe nuk ishte dëgjuar më parë.

Me anë të një parashtrese zyrtare të datës 12 shtator të cilën e ka siguruar KALLXO.com, e që mban nënshkrimin e Avokatit të Përgjithshëm Shtetëror, Heset Mazrekaj, Avokatura Shtetërore kërkoi nga Gjykata Themelore e Prishtinës shtyrjen e një seancë gjyqësore ku palë e paditur ishte Ministria e Bujqësisë ndërsa paditës një biznes kosovar.

Deri në këtë pikë, gjithçka është e zakonshme pasi që shtyrja e seancave gjyqësore mund të bëhet në kushtet e parapara me ligj, por ajo çka e bën këtë kërkesë specifike është arsyeja për të cilën është kërkuar shtyrja e seancës.

“Me këtë parashtrese Gjykatën e njoftojmë se përfaqësuesi i cili me autorizim e përfaqëson të paditurën, për momentin nuk është në punë andaj në pamundësi për ta gjetur lëndën, lusim Gjykatën që të gjej mirëkuptim dhe seancën ta shtyjë për një datë tjetër”, thuhet në kërkesën e Avokaturës Shtetërore drejtuar Gjykatës Themelore të Prishtinës.

Pra, arsyeja për të cilën Avokatura Shtetërore si një departament pranë Ministrisë së Drejtësisë që ka për detyrë përfaqësimin e Ministrisë, Qeverisë dhe entiteteve tjera pranë organeve gjyqësore, pranë arbitrazheve si dhe organeve tjera administrative, është nuk po arrijnë të gjejnë lëndën.

Kërkesa për shtyrjen e seancës është refuzuar nga gjyqtarja e rastit Hidajete Gashi ndërsa seanca ka vazhduar pa prezencën e përfaqësuesit të Avokaturës Shtetërore.

KALLXO.com lidhur me këtë kërkesë për shtyrjen e seancës gjyqësore për shkak të pamundësisë për të gjetur lëndën që e kanë në përfaqësim, ka dërguar pyetje edhe në Ministrinë e Drejtësisë por deri më sot nuk ka pranuar përgjigje.

Në anën tjetër avokati i kompanisë që ka paditur Ministrinë e Bujqësisë, Bahtir Troshupa, thotë se është mungesë e ndërgjegjes.

“Avokatura shtetërore ka kërkuar shtyrjen e seancës me arsyetim se nuk po munden me gjet lëndën ndërsa. Me dhjetëra seanca shtyhen brenda vitit për mos pjesëmarrje ose mos përgatitje të përfaqësuesit të avokaturës shtetërore. Kjo është mungesë ndërgjegjeje në ushtrimin e funksionit shtetërore”, tha Troshupa.