Avokatja Kundërshton Paraburgimin e Albin Kurtit

Avokatja Hedije Ademi e caktuar sipas detyrës zyrtare për mbrojtjen e Albin Kurtit paralajmëroi ankesë kundër vendimit për paraburgimin e ish-kryetarit të “Vetëvendosjes”.

Ademi tha për KALLXO.com  se do të shfrytëzojë afatin e paraparë ligjor për të ushtruar këtë të drejtë.

“Do të parashtroj ankesë në afatin prej 24 orësh prej momentit që e kam pranuar aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinës,” tha Ademi.

Ademi nuk u përgjigj se cila është baza juridike me të cilën do ta arsyetojë ankesën e saj dhe nuk tregoi se a ka bashkëpunuar Albin Kurti me të si avokate mbrojtëse gjatë seancës për caktimin e paraburgimit.

Kurti u arrestua dje  në selinë e “Vetëvendosjes”, pas manifestimit opozitar në Sheshin “Zahir Pajaziti” ku mbajti fjalim.

Ai po kërkohej nga policia me urdhër-arrest të gjykatës për rolin që kishte në hedhjen e gazit lotsjellës në njërën nga seancat e Kuvendit të Kosovës.

Pas dërgimit të tij në Pallatin e Drejtësisë u mbajt seanca për caktimin e masës së sigurisë, ndërsa prokurorja Fikrije Krasniqi- Fejzullahu kërkoi paraburgim për Kurtin.

Po nën dyshimet për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend, paraburgimi i është caktuar edhe deputetes së AAK-së Donika Kadaj-Bujupit më 18 nëntor.