Azem Syla në gjykatë | Foto: KALLXO.com

Avokati i Azem Sylës Ankohet në KGJK dhe Supreme

Besnik Berisha, avokati i Azem Sylës ka bërë kërkesë që Këshilli Gjyqësor i Kosovës ta shqyrtojë kërkesën për përjashtim të trupit gjykues në Rastin “Toka”.

Përveç kësaj Berisha ka bërë kërkesë për mbrojtje ligjshmërie në Gjykatën Supreme në lidhje me hedhjen poshtë të aktakuzës në këtë proces gjyqësor.

Themelorja e kishte hedhur poshtë kërkesën e Berishës, ndërsa Apeli e kishte vërtetuar më pas këtë hedhje.

Berisha kërkoi që propozimi për përjashtim të anëtarëve dhe kryetarit të trupit gjykues në Rastin “Toka” të diskutohet në mbledhjen e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, që kjo çështje të vendoset nga një kolegj, e jo vetëm nga kryesuesi i KGJK-së.

Berisha gjithashtu kërkoi që zyrtarisht të njoftohet EULEX-i në lidhje me kërkesën për përjashtim të trupit gjykues dhe procedura të pezullohet deri sa të merret një vendim për këtë çështje.