Ilustrim

Arrestohet zyrtari i UP-së, dyshohet për lëshim të certifikatave në mënyrë të kundërligjshme

Një zyrtar dhe një person tjetër në Fakultetin  e Inxhinierisë Eklektike dhe Kompjuterike në Universitetin e Prishtinës janë arrestuar nga policia për keqpërdorim të detyrës zyrtare, falsifikim të dokumentit zyrtar, marrje dhe dhënie ryshfeti.

Policia ka njoftuar se më 26 dhjetor 2018 ka pranuar një informatë nga Fakultetit i Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike-Universiteti i Prishtinës, se personi i dyshuar, A.L, 37 vjeçar ka dorëzuar dy certifikata të falsifikuara për marrje të diplomës, me arsyetimin se ka përfunduar studimet në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike në Universitetin e Prishtinës.

Pas hetimit të rastit, policia ka siguruar prova materiale se i dyshuari kryesor i rastit është zyrtari i Universitetit të Prishtinës, i Fakultetit të Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike A.J, 33 vjeçar, i cili dyshohet se në shpërblim prej 5 mijë eurove, në mënyrë të kundërligjshme ia ka lëshuar dy certifikata; certifikatën e notave dhe certifikatën e përfundimit të studimeve të dyshuarit të parë.

Si prova materiale janë konfiskuar: një kompjuter edhe dy telefona celular të cilat janë dërguar për ekzaminim në Agjencinë e Forenzikës.

Me aktvendim të prokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë,  dy të dyshuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë.