Deputeti Azem Syla në Polici - Foto: KALLXO.com

Arrestohet Azem Syla, Tri Javë pas Lirimit

Ish deputeti i PDK-së, i dyshuar për tjetërsim të pronave, Azem Syla, është arrestuar sot, tri javë pasi që ishte liruar nga paraburgimi.

Lajmin për arrestimin e Sylës e konfirmoi avokati i tij, Tomë Gashi.

Gashi tha se arrestimi i tij është bërë me vendim të gjykatëses së EULEX-it, Jennifer Seal pas kërkesës të Prokurorit ndërkombëtar.

Arrestimi i Sylës është konfirmuar edhe nga zvdhënësja e EULEX-it, Besa Domi. Por EULEX nuk ka pranuar të komentojë për arsyet që çuan në ndërprerjen e lirisë për ish deputetin i cili dorëzoi mandatin kur u arrestua për të parën herë në prill të këtij viti.

Sipas Gashit, ndaj klientit të tij është lëshuar një urdhër për arrestimin e Azem Sylës, me arsyetim se “ka tentim të ndikimit në njërin prej dëshmitarëve të mbrojtur”.

“Ne urdhrin për arrestim të Gjykatës Themelore në Prishtinë qartë thuhet se dikush tjetër e jo z. Azem Syla kinse e ka kontaktuar dëshmitarin e mbrojtur kohë më parë pas lirimit të z. Azem Syla dhe të tjerëve nga paraburgimi”, tha Gashi.

Gashi e ka quajtur si “skandaloz” këtë vendim.

Ai tha se Syla do të dalë sot para gjyqtarit të procedurës paraprake në Gjykatën Themelore ne Prishtinë.

52 persona, mes tyre edhe Azem Syla, deputet i PDK-së dhe Nuhi Uka, i cili ka qenë kryetar i Gjykatës Komunale në Prishtinë dyshohen për tjetërsim të ish-pronave shoqërore në Çagllavicë dhe Llapnasellë.

Nuhi Uka, Sabedin Haxhiu, Avni Maxhuni, Hajrullah Berisha, Ilaz Syla e Lubisha Vujoviq ishin arrestuar në fund të prillit të këtij viti pas një aksioni të gjerë të Policisë së Kosovës dhe EULEX-it.

Sipas avokatit Bajram Tmava, nga ky grup i të arrestuarve në paraburgim kanë mbetur vetëm Ilaz Syla dhe Lubisha Vujoviq.

Në aksionin e prillit u kërkua në shtëpi, por nuk u gjet edhe ish-deputeti Azem Syla, i cili u dorëzua në polici dy ditë më vonë.