Arrestohen Tre Të Dyshuar Për Vjedhje të Bizhuterive

Policia Regjionale e Prizrenit njoftoi se pas një pune intensive sektori i Hetimeve të Stacionit Policor Veri në Prizren, ka arritur që të  identifikojë dhe të arrestojë të dyshuarit M.Q., A.G. dhe A.R. pasi që të njëjtit në periudhën kohore Korrik- Shtator 2016 në Lagjen “Dardania” në Prizren në bashkëveprim, kanë kryer veprat penalë të vjedhjes së rëndë, vjedhje dhe vjedhje në tentativë.

Rreshteri Vesel Gashi njoftoi se pas një plani operativ taktik të bërë nga hetuesit e Stacionit Policor Prizren-Veri ka arrestuar të dyshuarit më 07 shtator 2016 rreth orës 11:00.

Arrestimi është bërë në lagjen “Dardania“ në Prizren. Të dyshuarit janë  shoqëruar në Stacionin Policor.

“Të dyshuarit janë intervistuar në prani të avokatëve mbrojtës. Në deklaratat e tyre ata pranojnë se i kanë  kryer veprat penale në tri lokacione të ndryshme”, tha rreshteri Gashi.

Gashi po ashtu njoftoi se tek të dyshimtit janë gjetur dhe janë konfiskuar në cilësi të provës materiale gjësendet e vjedhura: dy orë dore, dy aparate fotografike si dhe bizhuteri të ndryshme (vathë, unaza, zinxhirë).

Në lidhje me veprimet e policisë është njoftuar Prokurori Shtetit dhe i njëjti ka marrë  vendim për  ndalimin policor për 48 orë ndaj të dyshuarve M.Q. dhe A.G., ndërsa i dyshuari A.H. është liruar në procedurë të rregullt.

vjedhje pz1