Në këmbë avokati i Arban Dervishit | Foto: KALLXO.com

Arban Dervishi Qet Kushte nga Arratia

Në seancën e rinisjes së rastit “Medikus” , megjithëse deklaroi se nuk e di vendndodhjen e Arban Dervishit, avokati i tij Petrit Dushi, tregoi se si i akuzuari për krim të organizuar dhe trafikim me qenie njerëzore mund të kthehet në gjykatë.

Dushi tha se në konsultim me familjen e Arban Dervishit ka kuptuar se ai mund të paraqitet në shqyrtimin gjyqësor ku është i akuzuar nëse urdhër-arresti i zëvendësohet me masën e dorëzanisë.

Për këtë avokati Dushi tha se i kishte dërguar shkresë gjykatës.

“Unë kisha pasë shumë dëshirë që ai të jetë këtu në këtë gjykim, ngase nga ajo që familja e tij më kanë treguar, është që i mbrojturi im është shumë i interesuar që të jetë i pranishëm si i pandehur në këtë gjykim”, tha avokati Dushi.

Por në seancën e sotme Dushi kërkoi që pas saj trupi gjykues t’i shqiptojë Arban Dervishit arrestin shtëpiak, për ta siguruar praninë e tij në gjykim.

Në gjykatë u dha pauzë dhjetëminutëshe që trupi gjykues të vendosë nëse do ta veçojë procedurën ndaj Arban Dervishit, apo të vazhdojë gjykimi i tij bashkë me Lutfi Dervishin e Sokol Hajdinin.

Pas këshillimit trupi gjykues vendosi që procedura penale ndaj Arban Devishit të veçohet.

Po ashtu trupi gjykues vendosi që të refuzohet kërkesa e prokurores që të ftohen familjarët e të akuzuarit lidhur me vendndodhjen dhe kërkesat e Arban Dervishit, pasi që gjykata vlerësoi se kjo është më tepër kompetencë e policisë.

Gjykata refuzoi edhe kushtin e bërë nga familjarët e  Arban Dervishit për prani në gjykatë nëse i caktohet arresti shtëpiak.

“Asnjë i pandehur nuk mund të hyjë në negociata të tilla me gjykatën”, tha kryetarja e trupit gjykues, Franceska Fischer.