Apostolova viziton deputetët e ngujuar në Kuvend të Listës Serbe

Shefja e zyrës së BE-së, Natalya Apostolova ishte sot në zyrën ku po qëndrojnë deputetët e Listës Serbe prej ditës së djeshme.

Apostolova ka hyrë në zyrë dhe mediat nuk janë lejuar të kenë qasje.

Këta deputetë e kanë kaluar natën në hapësirat e Kuvendit që nga mbrëmë dhe janë duke pritur që të takohen më Komisionarin Evropian për Zgjerim, Johannes Hahn i cili sot do të qëndrojë për vizitë në Kosovë.

Kjo protestë ka ardhur pas vendosjes së taksës prej 100% ndaj produkteve serbe.

Dje, përmes një komunikate Lista Serbe ka kërkuar mbledhje me komisionerin Hahn, në mënyrë që ta njoftojnë atë me krizën humanitare e cila “e kërcënon popullin serb për shkak të vendimit të Prishtinës që ta vendos taksën prej 100% ndaj produkteve serbe dhe me këtë praktikisht e bllokon shpërndarjen e ushqimit,barërave, shtypit dhe produkteve tjera të nevojshme”.

Hahn sot gjatë vizitës në Kosovë do të takohet me presidentin Hashim Thaçi, kryetarin e Kuvendit Kadri Veseli, kryeministrin Ramush Haradinaj si dhe liderët e opozitës. Fokusi kryesor i vizitës do të jetë në vendimin e Qeverisë së Kosovës për vendosjen e taksës 100 përqind për mallrat nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.