Foto: Facebook/LDK

Apostolova takon Mustafën, diskutojnë për përbërjen e qeverisë së re

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, gjatë ditës së sotme është takuar me përfaqësuesen e posaçme të BE-së dhe shefe e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova.

Siç bëhet e ditur në njoftimin e LDK-së, Mustafa dhe Apostolova kanë biseduar për situatën politike të krijuar në vend pas zgjedhjeve të 6 tetorit.

“Temë diskutimi ishin procesi i zgjedhjeve parlamentare më 6 tetor, situata aktuale politike në Kosovë dhe diskutimet për përbërjen e Qeverisë së re”, thuhet në njoftimin e LDK-së në facebook.

Tutje në njoftim bëhet e ditur se Mustafa e ka njoftuar Apostovën për takimet e grupeve punuese në LVV-në.

“Kryetari Mustafa e njoftoi znj. Apostolova për qëndrimet e LDK-së mbi temat kyçe politike në vend dhe për vazhdimin e takimeve të grupeve punuese të LDK-së me ato të LVV-së për përafrimin e programeve të të dy partive drejt një programi të përbashkët qeverisës”, thuhet tutje aty.

Në këtë takim kryetari i LDK-së Isa Mustafa e ka falënderuar BE-në për mbështetjen e vazhdueshme që i kanë dhënë Kosës, ndërsa Apostolova ka kërkuar nga LDK-ja të ketë rolë konstruktiv.

“Apostolova falënderoi kryetarin Mustafa për mikpritjen dhe inkurajoi LDK-në të vazhdojë të ketë rol konstruktiv në zhvillimin e vazhdueshëm të Kosovës”, thuhet aty.

Sipas njoftimit të pranishëm në takim ishin edhe nënkryetarët e LDK-së Agim Veliu e Lutfi Haziri anëtari i Kryesisë dhe zëdhënësi, Besian Mustafa dhe anëtarja e Kryesisë, Vlora Dumoshi.

Pas numërimit të votave të rregullta, në zgjedhjet e 6 tetorit, VV-ja ka dalë partia e parë e pasuar nga LDK-ja.

Në javën e kaluar këto parti janë dakorduar për formimin e grupeve punuese për harmonizimin e programeve për formimin e koalicionit, mirëpo ende nuk ka ndodhur ndonjë takim i tillë.