Apostolova e zhgënjyer me dështimin e Kuvendit për ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare

Mungesa e kuorumit në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës ka bërë që të mos mund të shqyrtohen pesë projektligje që kanë të bëjnë me marrëveshje ndërkombëtare për herë të tretë.

E zhgënjyer me këtë është shprehur edhe kryetarja e Zyrës së BE-së në Kosovës, Natalyia Apostolova.

Apostolova ka thënë se mos miratimi i marrëveshjeve ndërkombëtare ka privuar popullin e Kosovës që të përfitojnë fonde nga BE dhe mbështetja ndërkombëtare.

E zhgënjyer thellësisht nga deputetët që nuk arritën të ratifikojnë edhe një herë tjetër marrëveshjet ndërkombëtare. Mosmarrëveshjet politike për përfaqësuesit e popullit të Kosovës po i privojnë qytetarët të përfitojnë nga fondet dhe mbështetja ndërkombëtare dhe BE”, ka shkruar Apostolova në Twitter.

Për shqyrtimin dhe miratimin e marrëveshjeve ndërkombëtare nevojiten dy të tretat e votave të deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Në këtë seancë parashihej votimi i pesë projektligjeve si më poshtë:

Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes për financim ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për Projektin e Fuqizimit të Sektorit Financiar,

Projektligji  për ratifikimin e Marrëveshjes për Hua ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për Projektin e Zhvillimit të Ujërave të Zeza në Gjilan,

Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes për Financimin e Projektit për Kadastër të Patundshmërisë dhe Infrastrukturë Gjeohapësinore ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim,

Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Republikës së Kosovës  mbi pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e Bashkimit “Dogana 2020”,

Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Republikës së Kosovës mbi pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e Bashkimit “Fiskalis 2020”.

Sërish dështon miratimi i marrëveshjeve ndërkombëtare në Kuvend