Ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli - Foto: KALLXO.com

Anketa e PIPS-it: Më pak se 2 për qind e qytetarëve e mbështesin AKR-në e Pacollit

Instituti i Prishtinës për Studime Politike (PIPS) në anketën “Politika Ndërkombëtare dhe Partitë Politike: Perceptimet e Qytetarëve të Kosovës” ka shfaqur edhe vlerësimet qytetare mbi partitë politike, programet politike dhe ideologjinë.

Sipas anketës, 21 për qind e qytetarëve besojnë se LDK-ja ka programin dhe politikat më cilësore për ta qeverisur Kosovën, 20 për qind besojnë në Vetëvendosjen, 16 për qind në PDK-në, 2.2 për qind PSD-së e Shpend Ahmetit, e më pak se 2 për qind në AKR-në e Behgjet Pacollit.

Sipas PIPS-it, qytetarët i besojnë më së shumti LDK-së për ta integruar Kosovën në BE dhe NATO dhe për të kultivuar shtetet partnere me 22 për qind, përderisa VV dhe PDK rangohen të dytat, me 17 për qind.

Në pyetjen se sa u besojnë partive politike 47.7 për qind e qytetarëve kanë zgjedhur përgjigjet negative “nuk iu besoj” ose “aspak nuk iu besoj”.

Ndërsa vetëm 28.8 për qind e respondentëve kanë zgjedhur përgjigjet pozitive “plotësisht iu besoj” dhe “iu besoj në një masë”.

Në anën tjetër, 43 për qind e kosovarëve e pranojnë se nuk kanë informacion se çka nënkuptojnë konceptet “i/e majtë”, “i/e djathtë” “qendër”.

Anketa e PIPS “Politika Ndërkombëtare dhe Partitë Politike: Perceptimet e Qytetarëve të Kosovës”

Ndërkaq, të dhënat e të njëjtës anketë që trajtonin perceptimet e qytetarëve në raport me politikën ndërkombëtare dhe aktorët globalë, treguan se kancelarja e Gjermanisë Angela Merkel është dukshëm liderja më e preferuar e kosovarëve, me 53 për qind, duke e lënë prapa presidentin e ShBA-së, Donald Trump me 17 për qind.

https://kallxo.com/liderja-e-preferuar-e-kosovareve-merkel-serbet-e-vleresojne-putinin/

www.kallxo.com