Ankesat e kandidatëve, lënë pa drejtorë disa klinika në QKUK

Zgjedhja e drejtorëve të klinikave në Qendrën Klinike Universitare ka muaj që ka filluar, por ky proces nuk ka shkuar pa probleme.

Zgjedhja e disa drejtorëve ka bërë që kundërkandidatët të stopojnë procesin duke u ankuar dhe dërguar lëndën në Inspektoriatin e Punës.

Klinika e Gjinekologjisë, Radiologjisë, Kirurgjia e Fëmijëve dhe Psikiatria janë klinikat kandidatët e të cilave kanë qenë të pakënaqur me procesin.

“Ka pasur ankesa nga disa kandidatë dhe lënda ndodhet në Inspektoratin e  Punës”, thuhet në përgjigjet nga zyra e drejtorit të SHSKUK-së dhënë për KALLXO.com.

Sipas tyre deri më tani janë zgjedhur drejtorët e klinikave në Pulmologji, Endokrinologji, Kardiokiologji, Torakale, Neurokirurgji, Pediatri, Emergjencë, Anestezion, Biokimi, Kirurgji Vaskulare, Ortopedi, ORL, Neurologji, Kirurgji Maksilofaciale, Infektive, Neonatologji, Instituti i Psikiatrisë Forenzike, Nefrologji, Spitali i Gjilanit, Spitali Vushtrrisë dhe disa tjerë.

“Për QKUK, kushtet e konkursit të cilët duhet të cilat duhet t’i plotësojnë kandidatët përveç shkollimit në lëmit e caktura janë: të këtë përvojë pune 5 vite apo më shumë  në klinikën apo lëminë për të cilën konkuron, njohjen e mirë të sistemit shëndetësor, shkathtësi në arritjen e objektivave strategjike, njohuri të legjislacionit në përgjithësi e sidomos në shëndetësi, njohuri në fushën e menaxhmentit shëndetësor dhe të financave publike e të tjera”, thuhet në përgjigjet e SHSKUK.

Sipas tyre së shpejti pritet të procedohet me konkursin për klinikat tjera dhe spitalet që janë me U.D. drejtorë.