FOTO: KALLXO

Andriq-Rakiq: Jam e kënaqur që qytetarët serbë mund të pajisen me pasaporta të Kosovës

Milica Andriq-Rakiq nga portali KoSSev, ka probleme me pranimin e dokumentacioneve të martesës së saj para marrëveshjes së Brukselit.

Ajo ka shpjeguar problemet me të cilat po ballafaqohet për pajisjen me dokumente të Republikës së Kosovës.

“Problemi shumë më i madh është ky vendimi i vitit të kaluar, korrikut, i cili, po, në masë të madhe për një numër të madh njerëzish ka zgjidhur probleme, kjo për ata që e kanë kryer regjistrimin civil deri më 14 shtator 2016, por nuk përfshin periudhën pas kësaj. Problemi im konkret është se jam martuar në institucionet serbe më 24 shtator. Pra për dhjetë ditë nuk më ka përfshirë ky vendim”, ka thënë Andriq- Rakiq.

Sipas saj janë në pyetje dhjetë ditë që nuk mund ta verifikojë martesën e saj.

Tutje Andriq- Rakiq thotë se nuk dëshiron t’ i ketë dy martesa në dy sisteme të ndryshme.

“A do të thotë kjo se do të mund të kemi një dasmë të re? Nuk do të ishte e dëshirueshme për mua që t’i kem dy martesa, në dy sisteme të ndryshme, në data të ndryshme. Kjo do të më shkaktonte probleme dhe do të mund të akuzohesh për bigami”, ka shtuar ajo.

Drejtor i Agjencisë së Regjistrimit Civil, Blerim Camaj, ka thënë se sipas vendimit të ministrit problemi i Milicës nuk mund të zgjidhet për shkak se martesat njihen vetëm deri në vitin 2016.

Pavarësisht kësaj, Andriq- Rakiq është shprehur e kënaqur që qytetarët e strukturave paralele tashmë mund të pajisen me dokumente identifikuese të institucionet gjegjëse në Kosovë.

Ndërkaq Milica Andriq- Rakiq ka thënë se qasja në dokumente është burokratike dhe se institucionet serbe ende funksionojnë në veri

“Vërtetë duhet të jenë në një nivel të veçantë të mendjes që të provoni ta kuptoni, ndërsa problemi është shumë i thjeshtë, pra vetëm duhet të pranohen të gjitha certifikatat e librave amzë të qytetarëve, të vdekurve dhe të martuarve të Serbisë. Ato ende funksionojnë, ashtu është dashur të jetë, për tu formuar Asociacioni i Komunave Serbe, nuk ka ndodhur. Duhet të reflektohet në një marrëveshje tjetër të ardhshme”, është shprehur Andriq- Rakiq.