Greg Delawie, Ambasador i SHBA-ve në Kosovë. Foto: Kallxo.com

Ambasadori Delawie Insiston në Luftimin e Korrupsionit

Ambasadori i ShBA-vë në Kosovë, Greg Delawie e theksoi sërish rëndësinë e luftimit të korrupsionit në Kosovë kur foli për këtë fenomen në një tryezë kushtuar etikës në biznes dhe korrupsionit.

“Luftimi i korrupsionit është diçka që unë i kushtoj shumë vëmendje dhe është ndër prioritetet kyçe të qeverisë sime. Sekretari Kerry e adresoi këtë çështje gjatë vizitës së tij në dhjetor të vitit të shkuar kurse tash vonë nën presidenti Biden e trajtoi këtë çështje në mënyrë shumë personale sa ishte në Kosovë”, tha Delawie.

Në tryezën e organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë u fol për etikën në biznese dhe korrupsionin, ndërsa panelistët treguan se si bëhet luftimi i korrupsioni dhe se si duhet të ketë etikë në biznese.

Drejtori Ekzekutiv i Odës Amerikane, Arian Zeka, tha se edhe pse luftimi i korrupsionit mund të jetë mision i vështirë por me mekanizmat ligjor dhe me fuqizimin e etikës mund të luftohet ai.

“Edhe pse luftimi i korrupsionit mund të duket mision i pamundur ose i vështirë, luftimi i tij duke shfrytëzuar mekanizmat ligjor dhe natyrisht fuqizimin e etikës në biznese për çka edhe do të përqendrohemi sot do të mundësojë rritjen e besimit të qytetarëve, investitorëve potencial ndaj institucioneve shtetërore duke pasur parasysh kërcënimin se korrupsioni paraqet për të ardhmen e Kosovës”, Zeka.

Greg Delawie, shtoi se qëllimet e tij që nga ardhja e tij në Kosovë janë forcimi i sundimit të ligjit, rritja e zhvillimit ekonomik dhe përmirësimi i sigurisë rajonale.

“Kur kam ardhur në Prishtinë para një viti pata bërë një agjendë se çfarë shpresoja të arrija gjatë kohës sime këtu. Qëllimet e mia mund të ndahen në tri fusha pra forcimi i sundimit të ligjit, rritja e zhvillimit ekonomik dhe përmirësimin e sigurisë rajonale. Korrupsioni pengon përmbushjen e  secilës prej këtyre qëllimeve”, tha Delawie më tej.

Ai shtoi në fund se korrupsioni paraqet problem për demokracinë dhe sundimin e ligjit.

Redaktori i portalit Insajderi, Vehbi Kajtazi, tha se që nga koha e tij e fillimit të gazetarisë nuk ka dëgjuar “tregime” të suksesshme siç i quan ai, të suksesit në biznes.

“Mua si gazetar më ka ra rrallë herë të dëgjoj tregime të suksesshme për të bërit biznes me etikë dhe profesionalizëm. Përvoja si gazetar më ka bërë që të dëgjoj tregime pak më ndryshe, ato të marrjes dhe të dhënies së ryshfetit e cila fatkeqësisht është shumë e përhapur në biznesin e Kosovës”, tha Kajtazi.

Besim Kelmendi, Prokuror i Prokurorisë Speciale, shpjegoi se çfarë do të thotë shkelja e parimeve të kodit të etikës.

“Shkelja e parimeve të kodit të etikës në biznes ju çon kah përgjegjësia penale ku pastaj ne prokurorët e kemi punën tonë që në bazë të ligjit dhe kushtetutës të zbatojmë hetimet dhe mundohemi që të parandalojmë krimet që kanë të bëjnë me korrupsionin”, tha Kelmendi.

Ai shtoi se ka numër të madh të rasteve të cilat janë në prokurori e të cilat bizneset në Kosovë kanë bërë shkelje të ligjit.