Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti - Foto: KALLXO.com

Albin Kurti: VV e Gatshme për Zgjedhje të Reja

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, përmes një statusi në Facebook ka shprehur gatishmërinë e partisë së tij që sa më parë të shkohet në zgjedhje të parakohshme.

“LV është për zgjedhje të parakohshme parlamentare sa më parë dhe për mocion për rrëzimin e qeverisë”, ka shkruar Kurti.

Ai ka renditur disa arsye se pse qeveria e udhëhequr nga Ramush Haradinaj duhet larguar.

“Nenad Rikallo e Milan Radojçiq, shtimi enorm i posteve qeveritare dhe rritja e pagave vetvetes, diskreditimi i arsimit tonë nga BE-ja dhe rritja e papunësisë, Contour Global dhe ‘Demarkacioni’, e deri te dëbimi tinëz, në shkelje të ligjit e të drejtave të njeriut i 6 shtetasve turq, përgjegjësinë për të cilin nuk po e merr asnjë institucion i Kosovës, janë vetëm disa prej arsyeve pse kjo qeveri e shtrenjtë duhet të largohet”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Sipas tij, shteti dhe popullit nuk mund të mbeten peng e qejfit të Kryeministrit dhe siç thotë ai frikës së Presidentit.