Nga gjykimi i Asdren Mekajt. Foto: Kallxo.com
I akuzuari për Shantazh e Detyrim thotë se Ndihet i Dëmtuar
Në gjykimin e Asdren Mekajt, i cili akuzohet për dy vepra penale, të detyrimit dhe atë të shantazhit, prokurorja e Prokurorisë Speciale të Kosovës, Merita Bina-Rugova tha se janë mbledhur provat e mjaftueshme që të arrihet dyshimi i bazuar mirë se i akuzuari ka kryer këto dy vepra penale të cilat i vihen në barrë.
Por i pandehur Asdren Mekaj nuk e ka pranuar fajësinë për veprat penale me të cilat ngarkohet.
Pas leximit të aktakuzës nga ana e prokurorja Merita Bina-Rugova, i pandehuri Mekaj tha se nuk ndihet fajtor për akuzat të cilat i ngarkohen.
“Jo nuk ndihem fajtor. Në rastin konkret ndihem i dëmtuar dhe i mashtruar nga Pal Gruda dhe për këtë mashtrim është iniciuar edhe një kontest juridiko-civil pranë kësaj gjykate”, tha Asdren Mekaj.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, Asdren Mekaj ngarkohet se nga viti 2010 deri në fund të vitit 2013, ka përdorur shantazh dhe kërcënime të rënda, personalisht si dhe përmes personave të tjerë të armatosur që ta detyrojnë të dëmtuarin Pal Gruda që t’i japë të holla të gatshme dhe t’i blejë vetura të shtrenjta, sipas kushteve të cilat i pandehuri vet i ka caktuar.
Më tutje aktakuza e prokurorisë pretendon se në këtë mënyrë i pandehuri Asdren Mekaj i ka sjellë vetes dobi të kundërligjshme në vlerë prej rreth 200 mijë euro.
Shqyrtimin e dytë gjykata e ka caktuar me datën 13 mars 2018.