Pamje nga një seancë e mëhershme e gjykimit të aktivistëve të VV-së për sulmin në Kuvend - Foto: KALLXO.com
Aktivistët e VV-së Deklarohen të Pafajshëm
Në seancën e sotme Frashër Krasniqi, Adea Batusha, Atdhe Arifi e Egzon Haliti, katër aktivistët e “Vetëvendosjes” të akuzuar për sulmin me mjet shpërthyes vitin e kaluar në ndërtesën e Kuvendit, vetëm e konsideruan të pafajshëm në lidhje me akuzën për terrorizëm.
I akuzuari Frashër Krasniqi tha se çdo dokument i dosjes së prokurorit tregon se ai dhe të akuzuarit tjerë janë të pafajshëm.
“Në një shtet ku vlera janë hajnia e krimi, je fajtor nëse je student dhe qytetar aktiv dhe madje mundesh me vdesë në burg”, tha Krasniqi duke aluduar në vdekjen e Astrit Deharit në Qendrën e Paraburgimit në Prizren në nëntorin e 2016-ës.
Para se ta deklaronin pafajësinë, katër aktivistëve iu lexua aktakuza..
Për dallim nga shumica e rasteve kur të akuzuarit ngrihen në këmbë gjatë leximit të aktakuzës, Frashër Krasniqi, Adea Batusha, Atdhe Arifi e Egzon Haliti vendosën të qëndrojnë ulur gjatë kohës së leximit të aktakuzës.
Të akuzuarin Frashër Krasniqi sot është duke e mbrojtur avokati Tomë Gashi,
Mbrojtjen nga Tomë Gashi e kundërshtoi në seancë prokurori Abdurrrahim Islami me arsyetimin se Gashi e ka mbrojtur më parë Petrit Ademin, njërin nga të arrestuarit për sulmin në Kuvend, ndaj të cilt për mungesë provesh nuk ishte ngritur aktakuzë.
Gjyqtari e refuzoi kërkesën e prokurorit.
Pasi aktivistët e VV-së u deklaruan të pafajshëm, avokati Tomë Gashi me mbështetje edhe të avokatëve tjerë Emrush Kastrati, Florie Drevinja e Ramiz Krasniqi kërkoi ndërprerjen e arrestit shtëpiak për të akuzuarit.
Aktivistëve iu vazhdua arresti shtëpiak para katër ditësh, ndërsa avokatët e tyre në seancën e sotme këtë vazhdim të masës së sigurisë e konsideruan politik.
Në seancën e sotme të pranishëm në publik janë edhe disa aktivistë e zyrtarë të Vetëvendosjes si Dardan Molliqaj e Salih Zyba.
Seanca fillestare e këtij gjykimi u zhvillua më 25 janar, ndërsa atë ditë t akuzuarit u veshëm me bluza me fotografitë e Astrit Deharit.
Më 25 janar u kërkua përjashtimi i prokurorit dhe Prokurorisë Speciale nga ky gjykim, por një kërkesë e tillë u refuzua.
http://kallxo.com/kerkohet-perjashtimi-prokurorise-nga-gjykimi-per-sulmin-ne-kuvend/