Aktakuzë për skandalin me mish të prishur i cili u transportua me Golf 2

Javët e para të vitit 2019 filluan me skandalin e mishit të prishur në Pejë.

Mbi një ton mish i prishur ishin zbuluar në punëtorinë e Sali Shkuliqit.

Lidhur me ketë Prokuroria Themelore në Pejë ka ngritur aktakuzë ndaj katër personave nën dyshimet se tentuan të shisnin për konsum produkte të dëmshme ushqimore.

Sipas Aktakuzës M. B., pronari i lopës së sëmurë kishte tentuar ta shëronte dy herë mirëpo pasi lopa kishte sëmundje të pa shërueshme, kishte vendosur ta shiste dhe me ndihmën e J.B, si blerës të mundshëm e kishte thirrur Sali Shkuliqin.

Sali Shkuliqi së bashku me R.Sh. kishin shkuar në Trestenik për ta blerë lopën.

Lopa e sëmurë sipas Prokurorisë u ble 400 euro dhe u therr në stallën e shitësit M.B. në fshatin Trestenik të Pejës.

Sipas dosjes së Prokurorisë, pasi e kishin prerë e kishin futur në Golf 2 dhe e kishin transportuar tek lokali i Sali Shkuliqit, mish i cili pas kontrollit të policisë në të njëjtin vend u gjet, u konfiskua dhe u asgjësua.

Shkuliqi në seancën paraprake kishte deklaruar se mishin e gjetur e kishte për qenin.

Përpos këtij rasti Shkuliqi ka qenë i dënuar edhe më parë për vepër të njëjtë penale

Prokuroria Themelore në Pejë kishte ngritur aktakuzë ndaj tij pikërisht për këtë vepër penale edhe më parë.

Duke vendosur sipas asaj aktakuzës, Gjykata Themelore në Pejë, e kishte dënuar Sali Shkuliqin me tre muaj burgim me kusht për periudhë verifikimi 1 vjeçare.

Pikërisht gjatë periudhës së verifikimit të njëjtit në lokalin e tij i janë gjetur mbi 1000 kilogram mish i prishtë i cili kishte për qëllim të shitej në treg.

https://kallxo.com/i-dyshuari-per-mishin-e-prishur-mishin-kam-pas-me-ja-qit-qenit/