Prokuroria nis hetimet për mishin e prishur të BIK-ut

Prokuroria e Prishtinës ka nisur hetimet për ‘mishin e prishur’ që është asgjësuar nga depoja e kontraktuar nga Bashkësia Islame e Kosovës.

“I kemi filluar hetimet, po hetojmë organizatën dhe sigurisht edhe personat përgjegjës. Dje kemi filluar dhe me rastin po merret prokurorja kujdestare Rukije Shasivari”, ka thënë Kujtim Munishi, ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Themelores në Prishtinë për KALLXO.com.

Të mërkurën, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka asgjësuar 21 tonë mish gjedhi që ishte nën menaxhim të Bashkësisë Islame të Kosovës.

Sipas zëdhënësit të AUV, Lamir Thaçi, ky asgjësim ka filluar pas kërkesës së bërë nga BIK-u.

Ky mish ka qenë i deponuar në depon e kontraktuar me lokacion në Veternik- Prishtinë, i cili ka qenë i dedikuar për shpërndarje te qytetarë të besimit islam.

Sipas AUV kjo sasi e mishit nuk ka plotësuar standardet për konsum andaj edhe kanë vendosur për asgjësimin e tij.

Të enjten, BIK-u ka reaguar përmes një komunikate për medie. Aty thuhet se kur është kuptuar shqetësimi për mishin e prishur në depon në Prishtinë, është ndërprerë shpërndarja si dhe është tërhequr mishi i shpërndarë.

“Me të marrë këtë shqetësim, kryesia e BIK-ut fillimisht ka ndërprerë shpërndarjen, e më vonë ka bërë edhe tërheqjen e mishit që ishte shpërndarë. Kryesia e BIK-ut njofton opinionin se sasia tjetër e mishit është e sigurt dhe pritet që shpejt të arrijë në Kosovë dhe në bashkëpunim me institucionet kompetente, do t’u shpërndahet kategorive sociale. Kryesia e BIK-ut sqaron për besimtarët që kanë porositur kurbane në BIK, se amaneti i tyre në bazë të parimeve islame është kryer, ndërsa Kryesia do të hetojë rrethanat në të cilat është prishur mishi dhe në bazë të gjetjeve do të marrë masat e duhura që në të ardhmen mos të na përsëriten gjëra të tilla”, thuhet në komunikatën e BIK-ut.

Në komunikatën thuhet se aksioni për therjen e kurbaneve është bërë në dy thertore, një në Hungari ku janë therur 1150 krerë lopë, dhe një në Istog ku janë therur 241 krerë lopë. Sipas BIK-ut, mishi i asgjësuar dje i përkiste një sasie të mishit të therur në Istog.