Aksion për një Shtet ku Dhuna nuk Tolerohet

Një aksion simbolik u zhvillua sot në Prishtinë me qëllimin që të drejtat e njeriut të mos mbeten vetëm në letër.

Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut vendosi banerë në Sheshin “Skënderbeu”, duke kërkuar jetë në një shtet pa dhunë në familje.

Njëri nga këta banerë kishte të shkruar emrin Zejnepe në kujtim të Zejnepe-Bytyqi-Berishës që vdiq pas dhunës nga bashkëshorti i saj më 23 tetor në Suharekë.

Dalina Kërqeli përfaqësuese e kësaj nisme tregoi domethënien e aksionit simbolik.

“Në sheshin kryesor është vendosur një instalacion që adreson dhunën ndaj gruas dhe dhunën në familje, përmes së cilës kërkohet nga institucionet tona që të krijohet një shtet ku dhuna nuk tolerohet,” tha ajo.

aksionid2

Kërqeli tha se përveç dhunës ndaj gruas, më së shumti të drejtat i shkelen komunitetit LGBT.

Aksioni u organizua në Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, ndërsa pjesëmarrësit e tij mbanin parulla ku kishin shkruar shkeljet e të drejtave të njeriut që sipas tyre ndodhin në Kosovë, si e drejta për qasje në dokumente publike, barazia para ligjit, e drejta për të ditur të kaluarën, e drejta për arsimim më cilësor.

aksionid