Bëri manovra të rrezikshme në rrugë me borë dhe i postoi në ‘Tik-Tok’, policia dënon vozitësin në Dibër

Policia e Shqipërisë ka dënuar me gjobë prej 40 mijë lekësh një vozitës në Dibër.

Sipas njoftimit, vozitësi kishte bërë video duke vozitur në mënyrë të rrezikshme dhe i kishte postuar në rrjetin social “Tik-Tok”.

“Nuk respektoi udhëzimet e Policisë për të vendosur zinxhirë në gomat e automjetit dhe qarkullonte duke kryer manovra në dëborë në zonë të banuar duke rrezikur jetën e këmbësorëve dhe përdoruesve të tjerë të rrugës, si dhe bëri video dhe e postoi në rrjetin social “Tik-Tok”, Policia shoqëron në Komisariat dhe ndëshkon me masë administrative drejtuesin e automjetit” – thuhet në njoftim.

“Patrulla e Policisë Rrugore, pas shoqërimit në Komisariat të shtetasit E.T, së bashku me automjetin e tij, e kanë ndëshkuar me masë administrative 40 000 lekë, bazuar në nenin 139 të Kodit Rrugor” – njoftoi Policia e Shtetit.