Mbeturinat në Pozheran | Foto: Komuna e Vitisë

Aksion për Largimin e Deponive të Mbeturinave në Pozheran të Vitisë

Me qëllim të eliminimit të deponive ilegale dhe krijimit të një mjedisi sa më të pastër, Komuna e Vitisë ka ndërmarrë sot një aksion për largimin e deponive të tilla, konkretisht në hyrje të Pozheranit.

Këtij aksioni i ka prirë kreu i komunës së Vitisë, Sokol Haliti, drejtoritë komunale, por edhe kompanitë e pastrimit që operojnë në Viti.

Kryetari Haliti, bëri me dije se kjo komunë e ka shpallë vitin 2018, vit të ambientit dhe shtoi se gjatë këtij viti do të ketë aksione të shumta ambientale.

Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti gjatë këtij aktiviteti të pastrimit dhe largimit të kësaj deponie ndër të tjerash foli edhe për angazhimin e kësaj komune për një mjedis të pastër dhe të shëndetshëm.

“Ndonëse deri më tani kemi punuar shumë në krijimin e hapësirave të gjelbërta dhe të pastra për qytetarët, ne edhe gjatë këtij viti mbesim të përkushtuar për largimin e deponive ilegale të mbeturinave. Kjo bëhet me qëllimin më të mirë që të kemi mjedise më të pastërta dhe të shëndetshme për gjithë qytetarët e komunës sonë”, u shpreh Haliti.

Ai u zotua se Komuna e Vitisë do të marrë masa ligjore ndaj atyre që ndotin ambientin. Ai gjithashtu u bëri thirrje qytetarëve që të bashkohen në këto aksione, por edhe të raportojnë ndotësit e tyre në organet përkatëse.

Kurse Skender Ahmeti, drejtor i Inspekcionit në Viti, bëri me dije se inspektori i ambientit në vazhdimësi është në terren për të intervenuar në raste të hedhjes së mbeturinave.

Ai shtoi se në këtë drejtim ata bashkëpunojnë edhe me Policinë e Kosovës, por kërkoi edhe bashkëpunimin e qytetarëve të cilët hasin hedhje të mbeturinave që të raportojnë qoftë edhe me vetëm një fotografi në Drejtorinë e Inspekcionit, duke u zotuar se rastet e tilla do të procedohen tutje në gjykatë.

KALLXO.com ka shkruar edhe për aksione tjera të largimit të mbeturinave.

http://kallxo.com/politikanet-ndihmojne-pastrimin-e-suharekes/

http://kallxo.com/aksion-pastrimi-ne-stanishor-te-gjilanit/