Aksion Masiv i Policisë, Arrestohet Glauk Konjufca

Mëngjesi i të martës ka nisur me një aksion të gjerë policor në Prishtinë në kërkim të zyrtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje.

KALLXO.com ka siguruar xhirime ekskluzive nga ky aksion policor.

Në aksionin e nisur në orën 6, policia ka arrestuar deputetin e Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, i cili është shef i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes dhe ka kërkuar nëpër shtëpitë e tyre edhe Xhelal Sveçlën dhe Sali Zybën, por pa mundur t’i gjejnë. Banesa e këtij të fundit është në të njëjtin bllok me atë të deputetit tjetër  të VV-së, Albin Kurti.

Ndjekjet e zyrtarëve të Vetëvendosjes kanë të bëjnë me rastin e demolimit të veturave të EULEX-it, në vitin 2009.

Deri më tani disa seanca gjyqësore kanë dështuar për shkak të pamundësisë për t’i sjellë në gjykatë të gjithë të akuzuarit.

Herën e fundit, seanca qe caktuar për 11 janar por vetëm 7 nga 21 të akuzuarit ishin të pranishëm.

http://kallxo.com/glauk-konjufca-sillet-ne-gjykate/

Në atë seancë, Gjyqtari Vesel Ismajli kishte bërë të ditur se do t’i kërkojë raport policisë se pse nuk janë sjellë në gjykatë edhe të akuzuarit tjerë.

Atë ditë, policia kishte kërkuar Sveçlën shtëpinë e tij e po ashtu pas orës 8 edhe në zyrat e tij të punës në komunën e Prishtinës.

http://kallxo.com/policia-kerkon-xhelal-sveclen-per-veturat-e-eulex-it/

Aktakuza e prokurorisë është ngritur ndaj Glauk Konjufcës, Xhelal Sveçlës, Besfort Berishës, Zgjim Hysenit, Lirim Gashit, Salih Zybës, Rron Gjinovcit, Salih Mehmetit, Naser Shatrit, Bujar Vocës, Kasim Ukës, Arbër Nuredinit, Fatmir Kurtajt, Asdren Pecit, Fatmir Hazirit, Ramadan Deliut, Faruk Dakajt, Frashër Krasniqit, Skënder Merturit, Pajtim Demajt, Flamur Arifajt, Kushtrim Zeqirit, Kujtim Kosumit, Dardan Molliqajt, Skender Blakajt, Blerim Maçastenes dhe Lulzim Xhakës.

Dje në mbrëmje është arrestuar Frashër Krasniqi i cili tani është zëdhënës i Vetëvendosjes.

http://kallxo.com/arrestohet-frasher-krasniqi/