Aksidenti tragjik në Gjilan: Pronari i kompanisë kërkon të lirohet nga paraburgimi

Gjykata e Apelit pritet të vendosë nëse pronari i kompanisë Uji i Pejës do qëndroj në paraburgim ose do lirohet ashtu siç ka kërkuar mbrojtja. KALLXO.com mëson se mbrotja e të arrestuarit ka planifikuar të bëjë ankesë.

Abdulaziz Sadiku, avokati i V.T., pronari i kompanisë Uji i Pejës, e ka pranuar se kamioni që shkaktoi aksidentin tragjik në Gjilan është në pronësi të të mbrojturit të tij dhe se kamioni ka qenë  i paregjistruar dhe i pakontrolluar teknikisht që nga viti 2017.

“Po, në vendimin e Gjykatës gjithashtu në kërkesë të Prokurorisë për paraburgim thuhet se kamioni ka qenë pa regjistrim dhe pa kontroll teknike që nga viti 2017. Kjo qëndron”, tha avokati për KALLXO.com.

Ai nuk pranoi të komentojë vendimin e Gjykatës Themelore të Gjilanit.

Kjo e fundit i caktoi paraburgimin prej 30 ditëve te mbrojturit të tij V.T. për veprën penale mbikëqyrje e pandërgjegjshme e trafikut publik.

Avokati Sadiku tha po ashtu se ka ushtruar ankesë në Gjykatën e Apelit në lidhje me vendimin e Gjykatës Themelore të Gjilanit.

Kamioni që shkaktoi aksidentin në Gjilan, i paregjistruar që nga viti 2017

“Kam bërë ankesë. Gjithashtu kam kërkuar që të zëvendësohet masa e paraburgimit me atë të arrestit shtëpiak”, tha avokati Sadiku për KALLXO.com.

Kamioni i cili shkaktoi dje aksidentin në qendër të Gjilan, nga i cili një person mbeti i vdekur dhe 27 të tjerë u lënduan, nuk ishte i regjistruar që nga viti 2017. Kjo u konfirmua fillimisht nga burime të KALLXO.com e më pas edhe zyrtarisht nga Prokuroria dhe Gjykata

Në dokumentin e prokurorisë, thuhet se kamioni i aksidentuar ka një listë të gjobave për mosregjistrim të kamionit.

Në kërkesën e siguruar nga KALLXO.com thuhet se kamioni ka qenë pa regjistrim  dhe pa kontrollë teknike nga data 18 Gusht të vitit 2017, e të cilin e ka drejtuar shoferi i kësaj kompanie M. A ku i njejti   më datë 7 Mars 2019 rreth orës 14.05 min në Gjilan  ka  shkaktuar aksident trafiku  dhe si pasojë e kësaj një person ka vdekur, 26 persona janë lënduar dhe janë shkaktuar dëme material në dhjetë makina.

Qerim Çoçaj ka vdekur nga aksidenti, 23 persona kanë pësuar lëndime trupore, 3 të tjerë janë dërguar në QKUK për shkak të lëndimeve të rënda ndërsa, dhjetë makina kanë qenë të përfshira në aksident.

I gjithë aksidenti ka ndodhur kur, nga hyrja e stacionit të autobusave në Gjilan, shoferi i kamionit M. A, ka humbur kontrollin mbi kamion.

Në kërkesën të cilën e ka siguruar KALLXO.com thuhet se M. A., gjatë ditës së djeshme, rreth orës 14:05, në rrugën ,”Idriz Seferi” në Gjilan, duke u kyçur në rrugën kryesore me kamionin në të cilin ishte duke vozitur, e humbë kontrollin mbi drejtimin e automjetit ndërsa dyshohet se i ka dështuar sistemi i frenimit.

Gjithmonë sipas kërkesës së Prokurorisë për masën e caktimit të paraburgimit, të dyshuarit i rritet shpejtësia pas dyshimit të dështimit të sistemit të frenimit dhe fillon t’i rritet shpejtësia e lëvizjes dhe me të arritur afër hyrjes së Stacionit të Autobusëve, fillimisht e godet në anën e majtë një “Audi” e cili ishte duke lëvizur në të njëjtin drejtim, e pastaj vazhdon rrugën dhe me të arritur afër daljes së Stacionit të Autobusëve e godet mbrapa automjetin “Reno Espaso”, i cili ishte duke lëvizur në të njëjtin drejtim, automjet të cilin e shtynë deri te vendkalimi për këmbësorë në trotuar, në anën e djathtë në raport me drejtimin e lëvizjes afër furrës “Çoçaj” dhe me këtë rast i godet dy këmbësorë, njëri nga ta ishte edhe Qerim Çoçaj, i cili më pas ka vdekur nga lëndimet e marra.

Tutje në kërkesën për paraburgim theksohet se pasi i dyshuari kishte goditur dy këmbësorët, në po të njëjtin drejtim dhe e të njëjtën shpejtësi, godet dy taksi, e pastaj me të arritur te udhëkryqi me rrugën e Prishtinës e godet mbrapa një automjet “Mercedes”, i cili ishte duke lëvizur në të njëjtin drejtim, pastaj kamioni kalon në anën e majtë të rrugës, duke dalë edhe në trotuar dhe me pjesën e përparme e godet pemën dhe kthehet përsëri në rrugë dhe e godet një automjet “Golf” dhe me të arritur te rreth-rrotullimi i godet dy automjete një “Golf” dhe një “Audi A3”, të cilët ishin duke lëvizur nga ana e kundërt.

Kamioni nuk kishte arritur të ndalonte edhe pse ishte goditur me shumë vetura.

Drejtuesi i kamionit pastaj vazhdon duke e goditur mbrapa automjetin “Land Rover” dhe automjetin “Passat”, të cilët ishin duke lëvizur në të njëjtin drejtim, si dhe traktorin “Rakovica” me rimorkio, i cili ishte duke u kyçur në rreth-rrotullim nga rruga “Mulla Idrizi”.

Të gjitha këto vetura të përmendura me lart nuk kanë arritur që ta ndalin shpejtësinë e kamionit me të cilin i dyshuari po bartte ujë.

Kamioni përfundon në trotuar përballë Hotel “Kristal”, duke e goditur një këmbësor tjetër.

Në të gjithë aksident sipas Prokurorisë Themelore në Gjilan, një person ka vdekur, tre persona të tjerë janë lënduar rëndë, ndërsa 23 persona kanë pësuar lëndime të lehta trupore.

Prokuroria në kërkesën e saj për caktimin e paraburgimit ndaj drejtuesit të kamionit ka thënë se viktima Qerim Çoçaj kishte vdekur në vendin e ngjarjes.

Prokuroria ka theksuar se i dyshuari M. A. dyshohet se ka kryer veprën penale rrezikim i trafikut publik.