Ahmeti flet për plagosjen e mësueses në Prishtinë

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti ka folur lidhur me incidentin në shkollën ‘7 marsi’ në Prishtinë ku mbeti e plagosur një mësuese.

Ai ka bërë të ditur se e dyshuar për plagosje është nënë e një nxënëseje parashkollore.

“Para pak orësh në shkollën 7 marsi në Prishtinë një prinde e një nxënëse në parashkollor ka sulmuar me thikë një mësuese edukatore në vendin e saj të punës.Sapo vizitova mësuesen në QKUK dhe për fat të mirë ajo është larg rrezikut për jetë. Sulmuesja është arrestuar dhe policia po e heton rastin”, tha Ahmeti.

Ai shtoi se i uron shërim mësueses që me dekada punon në Komunën e Prishtinës.

Një mësuese në Prishtinë dyshohet se është plagosur nga një grua sot në shkollën ‘7 marsi’.

Policia ka treguar se viktima ka inicialet A.P dhe është 49 vjeçe.

Ajo sipas policisë ka marrë plagë nga thika dhe e njëjta  menjëherë është dërguar në QKUK për trajtim mjekësor .

Lidhur me këtë rast policia ka arrestuar B.D, një grua 38 vjeçare, të cilës i është konfiskuar thika.

Pak më parë KALLXO.com ka raportuar për dyshimet se autore e plagosjes ka qenë një prind i kësaj shkolle.

https://kallxo.com/policia-jep-detaje-per-plagosjen-e-mesueses-ne-prishtine/