Kuvendi fillon seancën duke uruar Ditën e Mësuesit

Deputetët e Kuvendit të Kosovës e kanë filluar seancën me duartrokitje si shenjë mirënjohje për kontributin e mësimdhënësve, më 07.03.2024.

Nënkryetarja e Kuvendit, Saranda Bogujevci ka uruar 7 Marsin – Ditën e Mësuesit, ndërsa ka njoftuar se të pranishëm në seancë janë disa veteranë të arsimit.

Për çdo vit, më 7 mars, mësimdhënësit në Kosovë dhe Shqipëri urohen në mënyra të ndryshme në ditën që konsiderohet festa e tyre.

Më 7 mars të vitit 1887 në Korçë u hap Mësonjëtorja e parë shqipe duke shënuar kështu fillimin e arsimit shqip nën pushtimin e Osmanëve.

Mësues dhe Drejtor i parë i kësaj shkolle ishte Pandeli Sotiri ndërsa mësues të tjerë ishin edhe Petro Nini Luarasi, Nuçi Naçi e Thoma Avrami.

Për nder të kësaj ditë, në Kosovë për të nderuar mësuesit dhe Ditën e Mësuesit sot do të ketë aktivitete të ndryshme në shkolla.