Kurti: Nëse nëna është mësuesja e parë, mësuesja është nëna e dytë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti me rastin e 7-marsit, Ditës së Mësuesit tha se arsimi – shkolla, është vendi ku fëmija për herë të parë e takon shtetin dhe ‘nëse nëna është mësuesja e parë, mësuesja është nëna e dytë’.

“Ajo çfarë jemi sot me përvojën, dijen, karakterin tonë, varet shumë prej kësaj situate të definuar nga këto dy personalitete. Pra, nëna edhe mësuesja”, tha Kurti.

Këtë ai e tha gjatë një vizite në shkollën më të vjetër në Prishtinë, Shkollën Fillore dhe të Mesme të Ulët “Elena Gjika”.

“Pra, progresi tek nxënësit, që është dëshmi e punës së mësimdhënësve dhe përkushtimit të shtetit, është dëshmia më e qartë, më e saktë për atë që na pret në të ardhmen”, tha më tej kreu i qeverisë.

Kurti po ashtu shprehu gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës për t’iu dhënë mbështetje mësimdhënësve që t’i kenë kushtet e dinjitetshme të punës e gjithashtu edhe kompensimin e merituar, por në të njëjtën kohë edhe nxënësit nga gjenerata në gjeneratë të jenë më të mirë.

Kurti me rastin e 7-marsit, ka marrë pjesë edhe në zbulimin e pllakës “Shtëpi-Shkollë”, në shtëpinë e familjes së Ibrahim Gashit.

Gjatë zbulimit të pllakës, kryeministri Kurti i shoqëruar nga ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, shprehu mirënjohje dhe falënderim të veçantë për familjen Gashi, për kontributin dhënë arsimit në Kosovë.

Duke e cilësuar Ditën e Mësuesit, 7-marsin si një profesion të shenjtë për gjithë shqiptarët, por edhe popujt e tjerë, kryeministri Kurti tha se Ibrahim Gashi si rrallë kush, ka dhënë kontribut për arsimin e viteve të ’90-ta.

Në të gjitha trevat shqiptare, 7-marsi shënohet si Dita e Mësuesit, e cila është një ngjarje me rëndësi arsimore dhe kulturore, ku të gjithë kujtojnë mësuesit e parë të shkronjave shqipe.

Kosova dhe Shqipëria dallojnë nga pjesa tjetër e botës për festimin e ditës së mësuesit, pasi organizata UNESCO më 1994 ka shpallur Ditën Botërore të Mësuesit datën e 5 tetorit.

Dy shtetet shqiptare në fakt filluan traditën e Ditës së Mësuesit duke u bazuar në një datë të rëndësishme për arsimin shqiptar.

Më 7 mars të vitit 1887 në Korçë u hap Mësonjëtorja e parë shqipe duke shënuar kështu fillimin e arsimit shqip nën pushtimin e Osmanëve.

Mësues dhe Drejtor i parë i kësaj shkolle ishte Pandeli Sotiri ndërsa mësues të tjerë ishin edhe Petro Nini Luarasi, Nuçi Naçi e Thoma Avrami.