7 marsi e gjen Kosovën me protesta dhe kërkesa për reformë e cilësi në arsim

Festa e sivjetshme e 7 marsit gjeti grupe studentësh dhe aktivistësh para zyrave të Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës.

Organizata “Global Shapers Prishtina”, me sloganin “Cilësi në arsim”, në “Ditën e Mësuesit” kërkuan testimin dhe vlerësimin e mësimdhënësve, reforma në arsim, prezencë të psikologëve klinikë nëpër shkollat e Kosovës si dhe futjen e lëndëve për orientim në karrierë nëpër shkolla.

Aktivisti Ismet Krasniqi nga “Global Shapers Prishtina” tha se “Dita e Mësuesit” i gjenë mësimdhënësit duke qëndruar kokë-ulur para cilësisë në arsim.

“Sistemi ynë i arsimit ka mësues që nuk e shkruajnë mirë gjuhën shqipe. Në arsim rehatohen militantët partiakë. Mësuesit na bullizojnë e besa edhe na ngacmojnë seksualisht”, tha Krasniqi teksa në vijim pasonte me thirrjen “PROFESOR TESTOHU! PROFESORESHË TESTOHU”.

Në këtë protestë, nuk munguan as kritikat ndaj SBASHK.

“…SBASHK-un e ka kap rehatia. Prej kësaj rehatie SBASHK-u lëvizë vetëm për rroga. Në mënyrë krejt të paskrupullt SBASHK-u në kurriz të fëmijëve e kërcënon krejt Kosovën me greva e protesta kur bie fjala për vetting në arsim”, tha në mes tjerash Krasniqi.

Nga zyrat e SBASHK-ut, protestuesit vazhduan tek ndërtesa e Ministrisë së Arsimit.

Me pankarta në duar protestuesit qëndruan para objektit të Ministrisë, me ç’rast Avdyl Gashi, organizatori i protestës tha para mediave se pavarësisht problemeve që e përcjellin arsimin në Kosovë, MASHTI po sillet sikur çdo gjë është në rregull.

“Pothuajse çdo ditë po ndodhin ngacmime seksuale, therje, bullizëm, sepse nuk kemi psikologë në shkolla. Nxënësit tanë, rinia jonë po shëtitet rrugëve, sepse nuk ka programe të orientimit në karrierë. Në teori perfekt, në praktikë mos vet, sepse mungon ana praktike. Literatura e vjetër po përdoret në vitin 2022. Në vitin 2022, shkollat tona ende nuk kanë laboratorë”, tha Gashi

Lidhur me këtë protestë, KALLXO.com ka kontaktuar edhe kryetarin e SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, i cili ka potencuar se qëndrimi i tyre kundër testimit të mësimdhënësve do të vazhdojë.

“Ata (mësimdhënësit) kanë nevojë jo për teste e provokime, por për vizita e monitorim të llojeve të tyre nga inspektorët profesional të cilët do t’iu ndihmonin, do t’iu tregonin, në çfarë ata kanë ecur mirë, cilat janë lëshimet eventuale dhe në këtë mënyrë, jam i sigurtë se lëshimet do të kaloheshin nga kolegët e mi”, tha Jasharaj.

Ai ka shtuar se Qeveria duhet t’i furnizojë shkollat me mjete bashkëkohore të punës që mësimi të jetë më atraktiv, dhe të krijohen kushte dhe mundësi më të favorshme për mësimdhënësit që këta të fundit të mund të jenë më të suksesshëm në punën e tyre.