Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Haradinaj – Qeverisë: Sot ka qenë e udhës me dhënë ndonjë lajm të mirë për mësimdhënësit

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka kritikuar mungesën e kryeministrit Albin Kurti në seancën e Kuvendit të Kosovës më 07.03.2024.

Haradinaj ka thënë se në ‘Ditën e Mësuesit’, qeveria do të duhej të jepte lajm të mirë për mësimdhënësit.

Ai ka kritikuar qasjen e qeverisë ndaj kësaj kategorie, teksa ka thënë se hipokrit janë të gjithë deputetët që sipas tij përkrahin ndryshimet ligjore që heqin vitet kontributdhënëse të mësuesve.

“Sot në ditën e mësuesit po mungon qeveria, nuk është këtu. Në këtë ditë ka qenë e udhës me e dhënë ndonjë lajm të mirë për mësimdhënësit. Nuk ka ditë me të duhur se kjo, me ardh pjesëtari i qeverisë, me njoftu takimin e qeverisë, me tregu çka ka ndërmarrë me përmirësu pozitën e mësimdhënësve. Nuk ka ndodh kjo. Jemi hipokrit të gjithë ne që rrehim shuplaka për veteranët e arsimit e të njëjtën kohë përkrahim ndryshimet ligjore për me ju heq vitet kontributdhënëse” – është shprehur ai.

Ndërsa ka thënë se Qeveria përmes arrogancës së numrave po punon në ndryshimin e kontratave individuale të mësimdhënësve.

“Kjo po ndodh në parlamentin e Kosovës, të dashur mësues po ju rrejmë me këto shuplaka. Qeveria Kurti nga këta që rrehen shuplaka për ju. Po punohet prapa shpine me arrogancën e numrave me ndryshu kontratën individuale, pra me ju cenu të drejtat që i kanë të njohura me ligj, nuk është në rregull kjo pafytyrësi e jona në këtë ditë” – ka thënë ai.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës e kanë filluar seancën me duartrokitje si shenjë mirënjohje për kontributin e mësimdhënësve, më 07.03.2024.

Nënkryetarja e Kuvendit, Saranda Bogujevci ka uruar 7 Marsin – Ditën e Mësuesit, ndërsa ka njoftuar se të pranishëm në seancë janë disa veteranë të arsimit.

Për çdo vit, më 7 mars, mësimdhënësit në Kosovë dhe Shqipëri urohen në mënyra të ndryshme në ditën që konsiderohet festa e tyre.