AGK Dënon Largimin me Dhunë të Gazetarit Taulant Osmani nga Hapësirat e Kuvendit

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka dënuar largimin e dhunshëm të gazetarit të KALLXO.com, Taulant Osmani nga hapësirat e Kuvendit të Kosovës derisa po pritej të fillonte seanca për ratifikimin e demarkacionit.

“Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës këtë ngjarje e konsideron si pengesë direkte dhe ushtrim i dhunës ndaj gazetarit, përkundër arsyetimit se akreditimi ka skaduar – për shkak se askush nuk ka të drejtë që të ushtrojë dhunë ndaj punëtorëve të mediave, e sidomos në situata kur raportimi ka të bëjë direkt me interesat e qytetarëve dhe të vendit tonë”, thuhet në reagimin e AGK-së.

AGK ka kuptuar se gazetari Taulant Osmani nga KALLXO.com është larguar dhunshëm nga hapësirat e Kuvendit, nga një person i cili paraqitet herë si staf i kabinetit të Kryetarit të Kuvendit, e herë si pjesëtar i Policisë së Kosovës.

Në reagim thuhet se sipas raportit të incidentit, gazetari ka qenë duke qëndruar në korridor pranë zyrës ku po mbahej takimi i përfaqësuesve të subjekteve politike parlamentare me kryetarin e Kuvendit Kadri Veseli.

“Fillimisht doli një person i cili më kërkoi akreditimin dhe unë e paraqita. Mandej doli një person tjetër i cili më tha se akreditimi nga Kuvendi më ka skaduar në dhjetor të vitit të kaluar dhe se nuk mund të qëndroj aty. Mirëpo ne dhe të gjitha mediat kemi aplikuar me kohë për vazhdim dhe është Kuvendi ai i cili nuk e ka proceduar vazhdimin e akreditimeve të mediumeve”, kujton ngjarjen gazetari Osmani duke shtuar se “…pastaj më ka shtrënguar për krahu dhe me dhunë më ka tërhequr jashtë objektit të Kuvendit”, citohet në reagimin e AGK-së të ketë thënë gazetari Osmani.

Sipas AGK-së kjo ngjarje shpërfaq edhe njëherë mendësinë dhe mungesën e respektit të institucioneve tona publike ndaj punës së gazetarëve.

KALLXO.com shkroi sot për pengimin e gazetarit Taulant Osmani gjatë kryerjes së punës.

http://kallxo.com/gazetari-kallxo-com-pengohet-ne-kuvend/

Largimi i gazetarit Taulant Osmani nga ndërtesa e Kuvendit është dënuar sot nga Asociacioni i gazetarëve të Kosovës (AGK).

http://kallxo.com/agk-denon-largimin-dhune-te-gazetarit-taulant-osmani-nga-hapesirat-e-kuvendit/