Takimi i strukturave të sigurisë në Prizren | Foto: KALLXO.com

73 Kosovarë Ende në Luftëra të Huaja

“Shqetësues mbetet fakti se sipas informacioneve në zona të luftës kemi ende 73 qytetarë tanë kryesisht gra dhe fëmijë,” tha ministri Hyseni, sipas komunikatës së MPB-së.

Megjithatë, Hyseni e vlerësoi të suksesshëm angazhimin e institucioneve të Kosovës për pengimin e shkuarjes së kosovarëve në luftërat në Siri e Irak, duke përsëritur se janë bërë 11 muaj që Policia e Kosovës nuk ka regjistruar ndonjë shkuarje të re atje.

“Parandalimi i këtij fenomeni është bërë falë bashkëpunimit edhe me ju anëtarët e këshillave të sigurisë dhe miratimit të ligjit kundër pjesëmarrjes në luftëra të huaja, ku janë arrestuar persona që janë marrë drejtpërdrejtë në përfshirjen dhe pjesëmarrjen e njerëzve në luftëra të huaja,” tha Hyseni.

Ai fenomenin e trafikimit të njerëzve dhe lypësisë së detyruar e vlerësoi skllavëri moderne.

“Në Kosovë ky fenomen është i pranishëm dhe duhet me shumë seriozitet të merremi me këtë problem dhe për këtë duhet funksionimi zinxhiror i institucioneve të sigurisë në Kosovë, në mënyrë që të luftohen grupet kriminale që merren me tregtinë me njerëz,” tha ministri Hyseni.

Hyseni element shqetësues e konsideroi edhe rritjen e numrit të përdoruesve të drogës te të rinjtë e moshave shkollore, ndërsa ftoi anëtarët e strukturave të sigurisë që edhe personalisht nëpër familje dhe rrethin e tyre të angazhohen kundër këtij fenomeni.

Hyseni edhe dje kur u takua me struktura të sigurisë nga rajoni i Pejës përmendi si dukuri shqetësuese trafikimin e njerëzve dhe përdorimin e drogave në Kosovë.

http://kallxo.com/hyseni-narkotiket-dhe-trafikimi-shqetesues-per-kosoven/