Gjykata Themelore e Prishtinës - Foto: KALLXO.com

7 ditë afat për qëndrimin e prokurorit në gjykimin për detyrim të Blerim Dinës

Në gjykimin e Naim Sallahut dhe Shaban Lushtakut që akuzohen lidhur me veprën penale të detyrimit ndaj drejtorit të OShP-së, Blerim Dina, u mbajt shqyrtimi i dytë.

Në këtë seancë parashihej që avokatët mbrojtës të elaboronin kërkesën për hedhje të aktakuzës dhe kundërshtimin e provave, si dhe prokurori i rastit të deklarohej lidhur me qëndrimin e tij rreth këtyre kundërshtimeve.

Mirëpo, prokurori Blerim Igrishta ka deklaruar në sallë të gjykatës se nuk mund të japë pëlqimet apo refuzimet ndaj kërkesave të avokatëve.

Kjo pasi që i njëjti ka thënë se nuk e ka pranuar personalisht kundërshtimin e avokatit të Naim Sallahut, Arianit Koci, por vetëm atë të avokatit të Lushtakut, Ilir Rama.

Më tej, prokurori Igrishta ka deklaruar se nga shkresat e lëndës rezulton se kundërshtimi i avokatit Koci është pranuar nga administrata e prokurorisë.

Si rrjedhojë, kryetarja e trupit gjykues, Fatime Dermaku, i dha afat prej 7 ditësh prokurorit që të paraqesë me shkrim në gjykatë qëndrimin e tij rreth kundërshtimeve të avokatëve.

Lidhur me kundërshtimet e avokatëve dhe qëndrimit të prokurorit, gjykata do të vendosë jashtë seancës.

Të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm ndaj akuzave të prokurorisë qysh në seancën fillestare ku edhe u është lexuar aktakuza.

Aktakuza ndaj Shaban Lushtakut e Naim Sallahut u ngrit më 2 mars të këtij viti, raporton KALLXO.com.

http://kallxo.com/deklarohen-te-pafajshem-te-akuzuarit-per-detyrim-ndaj-drejtorit-te-oshp-se/

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për këtë proces gjyqësor.