Dosja e Prokurorisë - Si u paraqitën dokumentet e rrejshme për aplikim në procedurat e prokurimit publik nga kompania 'Sa Sallahu - SH.P.K'?

Prokuroria Speciale e Kosovës gjatë ditës ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë ndaj një personi juridik dhe dy personave fizik.

Personi Juridik, del të jetë “Sa Sallahu” si shoqëri me përgjegjësi të kufizuar dhe Luzim Sallahu si aksionar i kësaj kompanie dhe Naim Sallahu.

Sipas njoftimit kompania së bashku me aksionarin e saj, Luzim Sallahun, po akuzohen për keqpërdorimi dhe mashtrim në prokurim publik, secili veç e veç. Kurse Naim Sallahu po akuzohet për falsifikim të dokumenteve.

Si u paraqitën dokumentet e rrejshme për të aplikuar në procedurat e tenderimit nga kompania në fjalë?

Sipas aktakuzës, më 5 shtator të vitit 2019, Lulzim Sallahu në cilësinë e personit përgjegjës dhe drejtorit për operatorin ekonomik “Sa Sallahu – SH.P.K.”, ka paraqitur dokumente me përmbajtje të rreme me rastin e aplikimit në procedurat e prokurimit publik për projektin “Rikonstruimi i Rrugës Rajonale R155, Segmenti Prizren – Prevallë”.

Sipas aktakuzës, këto veprime kanë ndodhur me vetëdije dhe me qëllim të ndikimit në vendimin e Autoritetit Kontraktues, pasi kompania e tij “Sa Sallahu Sh.P.K.”, të shpallet fituese e kontratës për projektin në fjalë.

Sipas aktakuzës si dokumente me përmbajtje të rreme ishin paraqitur CV-të dhe referenca në emër të N. M., I. F., B. K., dhe L. G. Referencat përmbanin titujt e projekteve si “Zgjerimi i rrugës nacionale N9, segmenti hyrje Klinë – Pejë”, “ “Zgjerimi i rrugës nacionale N9 – Segmenti: Arllat-Kijevë (Gjurgjicë – Llozicë)”.

“Zgjerimi i rrugës nacionale N9, segmenti hyrja Klinë – Pejë, Lot 5 (Veternik), Lot 1”, “Zgjerimi i rrugës nacionale N2, segmenti hyrja në qytetin e Prishtinës, (Veternik), Lot 1”, “Zgjerimi i rrugës nacionale N9 – Segment: Arllat – Kijevë, Sektori D Lot 1 (Gjurgjicë – Llozicë) nga km 0+000.00-3+300.41”, “Rehabilitimi dhe asfaltimi i rrugës Kaçanik – Gajre – Ivajë – Strazhë”, “Ndërtimi i autostradës Morinë –Merdarë. Shtruarja e trasesë me SUBBASE dhe CTB”,“Rregullimi i Ujësjellësit në fshatin Sevce”, “Asfaltimi i rrugës në fshatin Brod – Coklare, faza e tretë”, “Asfaltimi i rrugës në fshatin Firaje, lagjja Manaj, aksi 1, 2 dhe 3”, “Ndërtimi dhe Rindërtimi i rrugës në Kazermën e Prishtinës”, “Asfaltimi i rrugës në fshatin Firaje”, “Ndërtimi i ministacionit në fshatin Sevce”, “Ndërtimi i murit mbrojtës në segmentin e rrugës Rezall e re – Tushile L=630M” me numër të kontratës 34,5”, “Rregullimi i rrugës në fshatin Verbeshticë”- thuhet në aktakuzën e Prokurorisë.

Sipas aktakuzës këto referenca janë paraqitur si dëshmi se kinse të njëjtit ishin pjesë e stafit, respektivisht të angazhuar si inxhinierë të kompanisë së tij dhe të njëjtit posedonin përvojën e nevojshme të punës që kërkohej në njoftimin për kontratë.

Aktakuzë ndaj kompanisë “Sa Sallahu” dhe dy të tjerëve për mashtrim me prokurim publik