PZAP - Foto: PZAP/Video

7 Ankesa në PZAP – Nga 3 Prej LDK-së e PDK-së

PZAP-it gjatë ditës së sotme i kanë shkuar 7 ankesa, 3 nga LDK, 3 nga PDK dhe një tjetër nga kandidati i pavarur për Shtimen, Fatmir Rashiti.

Për ankesat që i shkuan PZAP-it sot, tregoi kryesuesi i këtij institucioni Mulë Desku.

“Sot janë paraqitur gjithsej 7 ankesa, LDK-ja i ka paraqitur 3 ankesa për Dragash, Kamenicë dhe Prishtinë, PDK-ja ka paraqitur 3 ankesa për Rahovec, Klinë dhe Prizren dhe kandidati i pavarur Fatmir Rashiti edhe ai e ka paraqitur ankesë për Shtime”, tha shkurtimisht Desku për KALLXO.com.

Në anën tjetër, sot gjatë ditës LDK-ja ka njoftuar për ankesat e dërguara në PZAP.

Dyshimet e LDK-së në Prishtinë janë se ka pasur ndikim ndaj votuesve, se ka pasur mospërputhje dhe ndërhyrje në formularët e rezultateve e mungesa e fletëvotimeve nga zarfet e fletëvotimeve me kusht, e që sipas LDK-së përmes rinumërimit do të korrigjohen të gjitha këto shkelje.

Për Dragash, LDK-ja po kërkon anulimin e votave me postë, ndërsa në Kamenicë, LDK-ja në ankesë po pretendon se ka pasur shkelje sa i përket certifikimit të kandidatit të Vetëvendosjes, Qëndron Kastrati, pasi që i njëjti është regjistruar si banor i Kamenicës në vitin 2017.

Sipas LDK-së, Ligji për Zgjedhjet Lokale thotë se kandidati duhet t’i ketë së paku 3 vjet jetesë në atë komunë.

Përveç kësaj, LDK-ja ka dërguar ankesë edhe në Gjykatën Supreme mbi vendimin e PZAP-it për rivotim në Istog.

“Për Istog, Lidhja Demokratike e Kosovës ka  kërkuar nga Gjykata Supreme që të ndryshohet vendimi i PZAP-it me të cilin është aprovuar ankesa e LDK-së si e bazuar dhe të anulohet vetëm procesi i votimit përmes postës, me qëllim që të mos shkohet në rivotim pasi që procesi që është zhvilluar brenda komunës ka qenë i plotësisht i rregullt”, thuhet në komunikatën e LDK-së.

KALLXO.com ka provuar të kontaktojë edhe me Blerand Stavilecin për të kuptuar se cilat kanë qenë arsyetimet e plota të 3 ankesave që i ka dërguar në PZAP PDK-ja, mirëpo komunikimi me të ka qenë i pamundur.

Sot gjatë ditës, PDK-ja përmes një konference për media ka prezantuar një video-incizim ku shihen dy persona duke bartur një kuti votimi brenda ambientit të një shkollë në Prizren.

Sipas PDK-së njëri nga personat që barte kutinë është vëzhguese e VV-së.

Stavileci në po këtë konferencë deklaroi se PDK-ja do të ndjekë të gjitha rrugët ligjore për këtë çështje.

https://kallxo.com/pdk-prezanton-video-ku-bartet-kutia-vota/

Akuzave të PDK-së iu përgjigj më pas Mytaher Haskuka nga VV-ja që sipas rezultateve preliminare të KQZ-së ka fituar në garën për kryetar të Prizrenit.

https://kallxo.com/haskuka-pergjigjet-akuzave-te-pdk-se-per-bartje-te-kutive-te-votimit/