Teatri Kombetar

foto; Denis Sllovinja

Dyshimet për parregullsi shtyjnë epilogun e konkursit për zgjedhjen e drejtorit të Teatrit Kombëtar

Çështja e drejtorit të Përgjithshëm e Teatrit Kombëtar të Kosovë nuk pritet të zgjidhet, të paktën deri javën e ardhshme.

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka pranuar dy ankesat për këtë konkurs dhe siç janë shprehur zyrtarë të kësaj ministrie tani është faza e shqyrtimit të tyre.

Më 16 shkurt 2022, Këshilli Drejtues i Teatrit Kombëtar të Kosovës, ka përzgjedhur Kushtrim Sheremetin si kandidatin më të suksesshëm, pas përfundimit të procesit të inetrvistimit të kandidatëve konkurrues.

Por, procesi po kundërshtohet. Dy kandidatë për drejtor dhe monitoruesja nga Organizata “Qytetarët aktivë” thonë se gjatë intervistimit të kandidatëve ka pasur parregullsi të cilat e kanë lënduar priocesin e konkursit.

Dyshimet e ngritura, përveç tjerash, janë se njërit prej kandidatëve i janë shkelur të drejtat e barabarta dhe kishte pasur komente fyese nga njëri prej anëtarëve të Këshilli Drejtues, i cili sipas ligjit interviston kandidatët konkurrues.

Këto dyshime janë kundërshtuar nga Këshilli Drejtues i TKK-së. Ndërsa në MKRS kanë thënë se procesi nuk do të përfundojë pa përfunduar edhe trajtimi dhe vendimi për ankesat.

Shkelja e standardeve të intervistimit

Avni Dalipi, kandidatit që ka ushtruar ankesë në MKRS, pas përfundimit të proceduarve të konkursi për zgjedhjen e drejtorit të TKK-së, ka thënë për KALLXO.com se i është shkelur e drejta e trajtimit të barabartë gjatë intervistimit.

Dalipi ka thënë se procesi i konkursit për drejtor të TKK-së është lënduar nga ata të cilët ligjërisht janë të obliguar të mbrojnë paanshmërinë dhetë garantojnë një proces të drejtë.

“Ankesa ime nuk ka të bëjë me kandidatë të caktuar apo të veçantë. Ankesa ime ka të bëjë me shkeljen e së drejtës time për të qenë i trajtuar njësoj, i barabartë me të gjithë kandidatët, janë shkelur standardet e intervistimit të përcaktuara më ligj, duke më bërë pyetje të cilat kanë qenë sugjestive, pyetje që nuk u janë bërë kandidatëve tjerë, nënpyetje e komente gjatë përgjigjes sime”, ka thënë ai, për KALLXO.com.

Ndërsa, Xhemail Agaj, kandidat për drejtor që po ashtu ka ushtruar ankesë në MKRS, tha për KALLXO.com se nuk pret një përfundim të dejtë të gjithë procesit për zgjedhjen e drejtorit të TKK-së.

“Nuk mund presësh rezultate e vizion të ri me eksponentë të sistemit të vjetër. Për mua drejtori i TKK-së është zgjedhur më 7 maj 2021, ku edhe është zgjedhur KD i TKK-së”, ka thënë ai.

Raporti nga monitorimi

Ndërkaq në raportin e Flutra Zymit, drejtoreshë ekzekutive Organizatës “Qytetarët Aktivë”, e cila ka monitoruar intervistimit të kandidatëve për drejtor të TKK-së potencohet se njëri prej kandidatëve ishte trajtuar më ndryshme se të tjerët.

“Vetëm një kandidati i është parashtruar, një pyetje ndryshe nga kandidatët e tjerë. Vetëm një kandidati, i janë parashtruar nënpyetje. Po të njëjtit kandidat gjatë intervistës, njëri nga anëtarët e Këshillit i ka komentuar me qasje arrogante dhe nënçmuese, për derisa kandidati ishte duke u përgjigjur në pyetje tjetër”, thuhet në raportin e monitoruese nga Organizata ‘Qytetarët Aktivë”.

Trajtimi i ankesave

Rebeka Qena kryetare e Këshillit Drejtues të TKK-së ka thënë për KALLXO.com se të gjithë kandidatët janë trajtuar drejtë gjatë intervistimit.

“Këshilli Drejtues, për hir te korrektësisë ju informon se secili kandidat gjate procesit te intervistimit për pozitën e Drejtorit të Përgjithshëm të TKK-së është njoftuar për kohëzgjatjen e intervistimit dhe është njoftuar poashtu se limiti kohor mund te tejkalohet (gjë që edhe ka ndodhur  gjatë procesit), ndërkaq pyetjet kanë qenë identike për secilin kandidat. Një kandidati i është parashtruar një nënpyetje e cila ka pasur për qellim sqarimin e një pyetjeje,  dhe nënpyetjet asesi nuk mund të vlerësohen si devijim i procesit, përkundrazi, ato japin hapësire për elaborim më të detajuar të çështjeve te rëndësishme”, ka thënë Qena.

Bislim Bislimi, zëvëndësues i Sekretarit të Përgjithshëm në MKRS, tha për KALLXO.com se çështja e zgjedhjes së drejtorit të TKK-së nuk përfundon pa u marrë vendimi lidhur me ankesat që kanë arritur për konkursin.

“Procedura e tërësishme e rekrutimit nuk përfundon pa përfunduar afati për ankesa dhe afati për shqyrtimin dhe vendosjen mbi ato ankesa. Në këtë fazë MKRS nuk ka emëruar askënd sepse nuk mund t’a bëjë një gjë të tillë sipas ligjeve në fuqi”, ka thënë ai.

Bislimi ka thënë se ministri i MKRS –së nuk ka autorizime ligjore për emërim të drejtorit të TKK. “Atë autoritet ligjor e ka Këshilli Drejtues i TKK. Ndërkohë që as ky i fundit dhe as asnjë autoritet tjetër që ushtron detyra e përgjegjësi publike nuk mund të marr vendim për emërim pa përfunduar procedura administrative”, ka thënë Bislimi, për KALLXO.com.

Konkursi për zgjedhjen e drejtorit

Më 16 shkurt 2022, Këshilli Drejtues i TKK-së zgjodhi Kushtrim Sheremetin si kandidatin më të suksesshëm të konkursit për drejtor të Përgjithshëm të TKK-së.

Në gatë për këtë post, përpos Sheremetit ishin edhe Avni Dalipi, Xhemail Agaj dhe Blerim Krasniqi.

Kushtrim Sheremeti drejt kreut të Teatrit Kombëtar

Shpallet konkursi për drejtor të Përgjithshëm të Teatrit Kombëtar