Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
ARKEP u përgjigjet qytetarëve pas ankesave ndaj operatorëve kabllorë për ndërrim të kanaleve televizive
Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP) ka njoftuar se nuk është kompetente për të shqyrtuar anketat e qytetarëve lidhur me ndryshimet në përmbajtjen e kanaleve televizive nga operatorët e shpërndarjes. Duke udhëzuar që ankesat të dërgohen te organi kompetent, Komisioni i Pavarur i Mediave.
Në fillim të këtij muaji operatorët kabllorë në vend kanë bërë ndryshime të mëdha në përmbajtjen e programeve të ofruara, duke shkaktuar ankesa dhe pakënaqësi tek klientët e tyre.
ARKEP, përmes njoftimit thotë se bazuar edhe në legjislacionin në fuqi, nuk është kompetent për përmbajtjen e transmetuar nëpërmjet kanaleve televizive dhe ndryshimet e bëra në platformën e operatorëve.
Sipas ARPEP-it, Komisioni i Pavarur i Mediave rregullon të drejtat, detyrimet si dhe përgjegjësitë e personave fizik dhe juridik të cilët ofrojnë shërbimet mediale audio dhe audiovizuele.
“ARKEP njofton opinionin se të gjitha ankesat që kanë të bëjnë me çështjen e transmetimit të kanaleve televizive të drejtohen tek KPM, si organ përgjegjës për licencimin dhe monitorimin e përmbajtjes së transmetuar, kurse ankesat që kanë të bëjnë me ofrimin e shërbimeve të telefonisë fikse, mobile dhe qasjes në internet të drejtohen në ARKEP”, thuhet në komunikatën e ARKEP-it.
ARKEP sqaron se është organ kompetent për rregullimin e sektorit të komunikimeve elektronike dhe postare, sipas neni 4, paragrafi 1.32 i Ligjit për Komunikime Elektronike, ku përcaktohet se shërbim i komunikimeve elektronike – shërbimi që zakonisht ofrohet me pagesë, i cili përftohet, tërësisht ose pjesërisht, nga përcjellja e sinjaleve përmes rrjeteve të komunikimeve elektronike, që përfshin shërbimet e telekomunikacioneve dhe shërbimet e transmetimit në rrjetet e përdorura për transmetime radio-televizive dhe në rrjetet e televizionit kabllor.