Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Thirrja për mbështetje të autorit, MKRS ‘harron’ krijuesit e rinj

Lista e përfituesve të përzgjedhur për mbështetje për botimin e veprave të tyre nga thirrja publik e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit për mbështetje të autorit është kritikuar nga krijuesit e letërsisë.

Krijuesit kosovarë kanë akuzuar MKRS se ka bërë përzgjedhje selektive, duke anashkaluar edhe një nga synimet kryesore të thirrjes, mbështetjen e autorëve të rinj. Sipas tyre paratë nga kjo thirrje kanë shkuar për persona të afërt me politikën, që kanë apo kishin pozita të rëndësishme publike.

Por, pretendimet e krijeusve janë mohuar nga MKRS, e cila thotë se ka respektuar kriteret e thirrjes gjatë përzgjedhjes së autorëve që do të mbështeten për botimin e veprave të tyre.

Shkrimtarja Lyra Goga, njëra prej autoreve të refuzuara nga “Thirrja për Mbështetje të autorit”, ka thënë për KALLXO.com se MKRS nuk ka respektuar kriteret e thirrjes sepse, sipas saj, theksi ka qenë te autorët e rinj, qoftë në moshë ose në krijimtari. Ajo thotë se edhe numri i krijuesve (grave dhe vajzave) që janë mbështetur nga kjo thirrje është simbolik.

“Nuk janë përkrahur autorët për librat e parë, përkundrazi, autorët që kanë përfituar kanë me dhjetëra libra të botuar, mirëpo përfituan shkrimtarë në moshë e më me përvojë. Një tjetër prioritet kishin vajzat dhe gratë, ku nga 43 përfitues vetëm 7 janë gra”- ka thënë shkrimtarja Goga.

Goga ka thënë se autorët e përzgjedhur janë favorizuar edhe për shkak të pozitave të tyre të rëndësishme që kanë ose mbanin, siç ka thënë ajo, shumica profesorë universitarë, politikanë, zyrtarë e ish drejtues të lartë të institucioneve publike.

Krijuesja Goga ka thënë se padrejtësisht është eliminuar nga lista pasi ia ka plotësuar kriteret e thirrjes. Ishte ankuar, por nuk kishte marrë një përgjigje nga MKRS.

Edhe Reshat Sahitaj, shkrimtar e kritik letrar, thotë se thirrja publike e MKRS-së ishte vetëm për të arsyetuar, siapas tij,  mjetet materiale me të cilat do të duhet të ndihmonte personat ose OJQ-të e afërta me partinë në pushtet, ose lidhjeve tjera.

“MKRS duhet të subvencionojë autorët e rinj gjë që në disa raste i kanë subvencionuar, por janë raste të militantëve të partisë e jo autorëve të talentuar. Thirrja publike nga MKR ishte vetëm për të arsyetuar mjetet materiale që duhej t’i ndihmonte OJQ-të e VV ose të kontakteve tjera miqësore”- ka thënë Sahitaj, duke shtuar se MKRS në vazhdimësi deri më sot ka pasur një qasje të gabuar ndaj kulturës në Kosovë.

Në anën tjetër, MKRS thotë se pretendimet për favorizime të autorëve të caktuar, nga thirrja për mbështetje të autorit janë të paqëndrueshme.

“Në thirrje qartazi specifikohen grupet e synuara, me qëllim gjithëpërfshirjen: ‘…në veçanti të rinjtë, të moshuarit, vajzat dhe gratë, shkrimet në alfabetin brajl, shkrimet në gjuhët e komuniteteve, personat me aftësi të kufizuara, komunitetin LGBTIQ, komunitetet pakicë, etj’. Pra, përveç të rinjve, gjithashtu edhe të moshuarit janë kategorizuar si grup i synuar i thirrjes”- thuhet në përgjigjen e MKRS.

Stimulimi i zhvillimit të autorëve të rinj, thotë MKRS-së është vetëm njëra nga objektivat e thirrjes.

MKRS thotë se 86 ankesat e bëra pas publikimit të listës me përfituesit nga thirrja për mbështetje të autorit janë shqyrtuar një nga një.

Lista më përfituesit nga ‘Thirrja për mbështetje të autorit” për individë është publikuar edhe në ueb-faqen e MKRS. Nga kjo thirrje janë mbështetur 43 autorë, për vepra nga fusha të ndryshme, letërsi, studime, përkthime, histori e monografi. Shuma e mbështetjeje për një autor varion nga 3,500 deri në 7 mijë euro, ndërsa përfitues të kësaj thirrja janë profesorë, ish-profesorë universitar, krijues të dëshmuar e zyrtarë institucionesh.

Në maj të këtij viti MKRS hapi “Thirrjen për projekt-propozimet për mbështetjen e autorit”, për individë dhe për Organizata Jo Qeveritare. Nga kjo thirrje u mbështetej 43 krijues nga pjesa për individë dhe 9 projekteve të OJQ-ve.

MKRS përmes kësaj thirrje për mbështetjen e autorit për vitin 2023, synon mbështetjen e projekt-propozimeve të individëve dhe OJQ-ve me qëllim të mbështetjes për autorët e pavarur dhe identifikimi e promovimi i autorëve të rinj; përhapja e kulturës së leximit nëpërmjet zhvillimit e zbatimit të programeve për nxitjen e lexueshmërisë për aktivizimin e të rinjve në fushën e librit e leximit; zhvilli dhe funksionalizimi i kulturës së audio-librit në gjuhën shqipe, etj…