Teatri Kombetar

Teatri Kombetar. FOTO- Denis Sllovinja

Prapaskenat e procesit për zgjedhjen e drejtorit të Përgjithshëm të Teatrit Kombëtar të Kosovës

Komisioni për Zgjedhjen e Kontesteve dhe Ankesa për zyrtarët publik i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka refuzuar ankesat e dy kandidatëve për drejtor të Teatrit Kombëtar të Kosovës.

KALLXO.com raportoi se aktori Kushtrim Sheremeti ka nënshkruar dje (05.04.2022) me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit kontratën e punës për pozitën e drejtorit të përgjithshëm të Teatrit Kombëtar të Kosovës (TTK).

Kushtrim Sheremeti nënshkruan kontratë pune me Ministrinë e Kulturës për drejtor të Teatrit Kombëtar

Më 16 shkurt 2022, Këshilli Drejtues i Teatrit Kombëtar të Kosovës, ka përzgjedhur Kushtrim Sheremetin si kandidatin më të suksesshëm, pas përfundimit të procesit të inetrvistimit të kandidatëve konkurrues të konkursit për drejtor të TKK-së, të hapur në dhjetor 2021.

Në konkursin për drejtor të TKK-së, konkurruan: Kushtrim Sheremeti, Avni Dalipi, Xhemail Agaj, Blerim Krasniqi dhe Vlora Merovci. Kjo e fundit nuk e vazhdoi garën për shkak se nuk i plotësoi kriteret e konkursit. Kurse, Këshilli Drejtues i TKK-së, në cilësinë e komisionit vlerësues, në përbërje të: Rebeka Qenës, Armend Ismajlit, Ben Apollonit, Gresa Pallaskës, Shkurtë Aliut, Visare Aliut dhe Brikena Mulliqi, intervistoi kandidatët.  

Pas daljes së rezultateve nga intervistimi, dy kandidatët, Avni Dalipi dhe Xhemail Agaj u ankuan në KZKA, duke konsiderua se kishte pasur parregullsi gjatë procesit të intervistimit nga ana e komisionit vlerësues (Këshillit Drejtues të Teatrit Kombëtar).

Por, KZKA refuzoi ankesat e tyre duke i konsideruar si të pa bazuara.

Vlerësimi i kandidatëve

Në shkurt të këtij viti, Këshilli Drejtues i Teatrit Kombëtar në cilësinë  e komisionit vlerësues, intervistoi kandidatët për drejtor të TKK-së. Pas ankesave dhe vërejtjeve lidhur me mënyrën e intervistimit të kandidatëve, KALLXO.com ka kërkuar qasje në vlerësimet e bërë për kandidatët nga komisioni, në testin me shkrim dhe intervistat, në secilën pyetje për secilin kandidat veç e veç.

Krejt ajo çfarë është ofruar në këtë rast janë tabelat e vlerësimit përfundimtar; në testin me shkrim dhe në gojë.

KALLXO.com ka vërejtur se në testimin me shkrim, anëtarët e komisionit kanë dhënë pikë  (vlerësim) të njëjta për çdo kandidat.

Komisioni vlerësues i kishte vlerësuar në këtë mënyrë kandidatët:

 

 

Në një përgjigje për KALLXO.com, MKRS thotë se vlerësimi në testim me shkrim për kandidatët është bërë në mënyrë unike.

“Ju informojmë se arsyeja e pikëve të njëjta në intervistën me shkrim është sepse vlerësimi bëhet UNIK, për këtë arsye janë pikët e njëjta nga të gjithë Anëtarët e Komisionit Vlerësues, ndërsa vlerësimi i intervistës me gojë  është individual, dhe pikët janë të ndryshme”, thuhet në përgjigjen e MKRS-së.

Po ashtu vërehet se dy anëtarë të Komisionit kanë dhënë pikë të njëjta edhe në intervistën me gojë për një kandidat, e në disa raste dallim i madh në vlerësimin e të njëjtit kandidat nga komisioni, në vlerësimin me gojë.

Procesi i ankimimit

Menjëherë pas bërjes publike të rezultatit të intervistimit të kandidatëve për drejtor të TKK-së, kandidatët Xhemail Agaj dhe Avni Dalipi dërguan ankesë në KZKA në MKRS-së. Të dy ishin ankuar për parregullsi gjatë procesit të testimit dhe të intervistimit.

Agaj dyshon se procesi ishe i manipuluar. “Nuk mund presësh rezultate e vizion të ri me eksponentë të sistemit të vjetër. Për mua drejtori i TKK-së është zgjedhur më 7 maj 2021, ku edhe është zgjedhur KD i TKK-së”, pati thënë ai për KALLXO.com. Ndërsa, Dalipi ka thënë për KALLXO.com se i është shkelur e drejta e trajtimit të barabartë gjatë intervistimit.

“Ankesa ime ka të bëjë me shkeljen e së drejtës time për të qenë i trajtuar njësoj, i barabartë me të gjithë kandidatët, janë shkelur standardet e intervistimit të përcaktuara më ligj, duke më bërë pyetje të cilat kanë qenë sugjestive, pyetje që nuk u janë bërë kandidatëve tjerë, nën pyetje e komente gjatë përgjigjes sime”, ka thënë Dalipi.

Por, KZKA refuzoi si të pabazuara ankesat e dy kandidatëve, pas shqyrtimit të tyre. Për të sqarua situatë, KZKA potencon në vendimet për ankesat se ka mbajtur edhe seancë dëgjimore me komisionin vlerësues, sekretaren e KS-së dhe zyrtarët e MKRS që kanë monitoruar procesin.

“Avni Dalipit nuk i është cenuar asnjë e drejtë, gjegjësisht, ndaj tij apo në dëm të tij, nuk argumentohet askund e është  zbatuar ndonjë rregull, procedurë apo veprim diskriminues gjatë procesit të rekrutimit të tij dhe si të tillë Komisioni konstaton se pretendimet ankimore janë të pabazuar”, thuhet në vendimin e KZKA për ankesën e Dalipit.

Të njëjtën përgjigje ka marrë edhe Agaj për ankesën e tij.

 

Dyshimet për parregullsi shtyjnë epilogun e konkursit për zgjedhjen e drejtorit të Teatrit Kombëtar

Kushtrim Sheremeti drejt kreut të Teatrit Kombëtar