40-Vjeçi Hidhet nga Kati i 4-të në Gjakovë

Një 40-vjeçar nga qyteti i Gjakovës ka tentuar të bëjë vetëvrasje duke u hedhur nga kati i katërt i banesës. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 12:00 në qendër të qytetit.

Sipas Policisë, 40-vjeçi ndodhet në gjendje të rëndë. Ai menjëherë është bartur me autoambulancë në spitalin e qytetit.

“Para pak çastesh ne kemi marrë një informatë se një person është gjujtë nga kati i 4 i një banese këtu. Ne menjëherë kemi dalë në vendin e ngjarjes. Po ashtu në vend të ngjarjes ka mbërri edhe autoambulanca. Viktima ishte me shenja jete dhe i njëjti është dërguar në Emergjencë. Ende është herët të flasim për motivet”, ka thënë komandanti i stacionit policor të Gjakovës, Kristë Gjokaj.

I kontaktuar përmes telefonit nga KALLXO.com, mjeku kujdestar i Emergjencës, dr. Jeton Vorfi, bëri me dije që pacienti ka pësuar fraktura në gjymtyrë dhe kurriz, por jeta e tij nuk është në rrezik.