Shtohen 2480 Biznese, Shuhen 970

Në 3 muajt e fundit të 2015-ës janë regjistruar 2480 biznese, ndërsa janë shuar 970

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, 2,480 biznese të reja janë regjistruar gjatë tremujorit të fundit të vitit 2015 duke rritur për 14 për qind themelimin e tyre në raport me tre muajt e fundit të vitit 2014.

Mirëpo, 970 biznese janë shuar në këtë tremujor që është njëherësh numri më i madh i bizneseve që mbyllen qysh nga viti 2010. Në 3 muajt e fundit të 2015-ës në raport me këta tre muaj të 2014-ës janë shuar 523 biznese më shumë.

Tregtia prin si aktivitet ekonomik i preferuar edhe gjatë këtij tremujori me 746 biznese të reja përkatësisht 30.1 për qind, pasuar nga prodhimi me 271 apo 10.9 për qind, bujqësia, pylltaria dhe peshkataria me 270 biznese të reja apo 10.9 për qind, aktivitetet të shërbimeve tjera me 189 biznese të reja apo 8.3 për qind, ndërsa aktivitetet e tjera marrin pjesë në shkallë më të vogël.

Tregtia printe edhe në statistikat e bizneseve të reja për periudhën korrik-shtator të 2015-ës.

http://kallxo.com/tregtia-prin-te-bizneset-e-reja

2461 biznese të reja, ose 99.2 për qind të tyre kanë 1 deri 9 të punësuar, 18 biznese, ose 0.7 për qind të tyre kanë 10 deri 49 të punësuar, ndërsa vetëm një biznes i ri i themeluar në tremujorin e fundit të 2015-ës konsiderohet i mesëm me 50 deri në 249 të punësuar.

Në periudhën tetor-dhjetor 2015 nuk është regjistruar asnjë biznes i ri i madh me më shumë se 250 punëtorë.

Meshkujt vazhdojnë të jenë zotëruesit në hapjen e bizneseve. 80.1 për qind e bizneseve të reja janë hapur nga meshkujt, ndërsa vetëm 19.9 për qind e tyre janë hapur nga femrat.

Sa i përket shtrirjes gjeografike në hapjen e bizneseve të reja në nivel komunal, edhe në këtë tremujor mbizotëron Prishtina me 593 biznese të reja, ose 23.9 për qind, ndjekur nga Peja me 184 apo 7.4 për qind, Prizreni me 177 biznese të reja apo 7.1 për qind, Ferizaj me 160 apo 6.5 për qind, Gjakova me 131 apo 5.3 për qind, Gjilani me 119 ose 4.8 për qind dhe Mitrovica me 111 biznese të reja apo 4.5 për qind, ndërsa komunat e tjera kanë numër më të vogël të bizneseve të regjistruara gjatë këtij tremujori.

Prizreni në këtë tremujor i ka shuar 108 biznese kryesisht në aktivitetin e tregtisë, ndjekur nga Prishtina me 95 biznese të shuara, ndërsa 81 biznese janë mbyllur në Gjakovë.

Në këtë tremujor janë regjistruar vetëm 8 biznese të reja me kapital të huaj, ndërsa gjatë tërë vitit në Agjencinë për Regjistrim të Bizneseve e cila funksionon në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë (MTI), janë regjistruar 420 biznese me pronarë të huaj, ku 48 kanë degë apo përfaqësi në Kosovë.