14 Orët e Muzikës në Sheshin e Prishtinës

Me koncerte të ndryshme pritet të shënohet “Festa e Muzikës” e organizuar nga Komuna e Prishtinës në bashkëpunim me Ambasadën Franceze, Aleancën Franceze, “Culture for All”, Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Filarmoninë e Kosovës.

Festa do të fillojë nesër nga ora 10:00 dhe do të zgjasë deri në mesnatë në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë.

Drejtoresha për Kulturë në komunën e Prishtinës Saranda Bogujevci tha se kjo festë ka filluar të bëhet tradicionale në Prishtinë.

“Ky është viti i tretë që organizohet në një formë më të gjerë, është diçka që është iniciuar nga Ambasada Franceze më herët, mirëpo këto 3 vitet e fundit është një bashkëpunim shumë i mirë në mes të komunës, ambasadës dhe partnerëve tjerë”, tha ajo.

Bogujevci tha se ky program do të promovojë bendet e reja të Kosovës.

“Pjesë e këtij programi përveç performancës së fëmijëve nga Aleanca Francez, dhe kori i fëmijëve, do të interpretojnë edhe bendet e reja, sepse njëra nga arsyet kryesore të këtij programi është që të promovohen të rinjtë”, tha Bogujevci.

Përfaqësuesja e ambasadës së Francës Lise Moutoumalaya, tha se kjo është një ngjarje speciale e cila festohet në të gjithë  botën dhe se janë të kënaqur që edhe Prishtina është pjesë e kësaj feste.

“Kjo festë e cila ka filluar 35 vite më parë e që tash mbahet edhe në Prishtinë, jep mundësin e lloj-llojshmërisë, do të thotë që edhe në këtë edicion do të ketë muzikë për të gjitha shijet”, tha ajo.

Drejtori i Filarmonisë së Kosovës, Baki Jashari tha se filarmonia do të prezantohet me një vepër shumë interesante në këtë program.

“Bëhet fjalë për një vepër muzikore, për një përrallë “Pjetri dhe Ujku” që është një vepër për orkestër simfonike e shkruar në vitin 1936 dhe sivjet shënon 80 vjetorin që nga krijimi dhe për herë të parë interpretohet në Kosovë”, tha Jashari.

“Festa e Muzikës” do të filloj nesër   me 21 qershor në ditën ndërkombëtare të muzikës nga ora 10:00 deri në orën 00:00, në sheshin “Zahir Pajaziti”.