100 Dokumentet e Kontratës Milionëshe

Artan Canhasi nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) tregoi se kontrata e agjencisë është monitoruar për shkak të vlerës së madhe, ndërsa bëri të ditur se janë mbikëqyrur edhe Ministria e Infrastrukturës dhe ajo e Shëndetësisë për shkak shkeljeve të shumta në procedurat e prokurimit.

“Arsyeja pse i kemi zgjedhur t’i monitorojmë këto institucione ka qenë se gjatë kohës sa nuk ka pasur qeveri KDI-ja ka identifikuar këto institucione si institucione me rrezik të lartë. Gjatë monitorimeve të mëhershme të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Ministrisë së Infrastrukturës kemi gjetur shkelje të shumta në procedura të prokurimit, kurse AQP-në e kemi përzgjedhur ta monitorojmë  për shkak të vlerës së madhe të kontratave si kjo e karburanteve, po ashtu edhe kontratat tjera në vazhdimësi,” tha Canhasi.

Diana Metushi , gjithashtu pjesë e KDI-së tregoi se kjo organizatë ka nalizuar një numër të madh dokumentesh për kontratën kornizë të Agjencisë Qendrore të prokurimit rreth furnizimit me derivate.

“Për qëllim të këtij hulumtimi KDI-ja ka analizuar mbi 100 dokumente të ndryshme, ka parashtruar mbi 12 kërkesa për qasje në dokumente publike, ka pasur shumë takime, biseda telefonike, intervista me institucione publike, operatorë ekonomikë, gazetar hulumtues dhe aktorë të ndryshëm të cilët kanë dhënë një kontribut për këtë raport,” tha Metushi.

Raporti përmban detaje mbi kontratën 14 milionëshe për furnizim me derivate për tre vjet të lidhur në gusht 2014.

Në raport thuhet se kjo kontratë ka krijuar kushte më të favorshme për menaxhimin e saj, ka siguruar vlerën më të mirë për paranë, pra ka kursyer buxhet, mirëpo ka krijuar kushte jo të favorshme për bizneset e vogla dhe të mesme për arsye se me kontratë është shpërblyer vetëm një operator ekonomik.

Agjencia Qendrore e Prokurimit që nga viti 2014 është e obliguar me ligj për prokurim të centralizuar, ose nënshkrim kontrate për shumë autoritete kontraktuese, si në rastin e kontratës për derivate.

Drejtori i kësaj agjencie, Mursel Raci e pranoi se për prokurimin ka perceptim shumë negativ, ndërsa tha se prokurimi i centralizuar do të kursejë para publike.

“Të nderuar, ju e dini se prokurimi publik në çfarë shkalle i është ekspozuar përceptimit negativ. Çdo kritikë që vie në drejtim të kësaj fushe e konsideroj një qasje pozitive për shoqërinë tonë civile dhe për shtetin tonë. Prokurimet e centralizuara janë shumë pozitive për të kursyer buxhetin si dhe kontrolla nga ana e auditorit do të jetë më e lehtë në një kontratë të vetme ,” tha Rraci.

Edhe Safet Hoxha, kryetari i Komisionit Rregullativ për Prokurim Publik (KRPP) foli për prokurimin e centralizuar si një mënyrë e re në Kosovë e dhënies dhe menaxhimit të kontratave.

“Prokurimi i centralizuar është një qasje e re për ne, është mirë që ta inkurajojmë me shembuj të mirë. Prokurimi i centralizuar ka të bëjë me një dilemë bashkëkohore në fushën e ekonomisë së tregut-të shprehet vlera për paranë apo monopoli në treg. Ne vazhdimisht si KRPP po bëjmë përpjekje që gjërat t’i vëmë në rregull , andaj inkurajojmë shoqërinë civile, mediat, aktorët tjerë të cilët i shohim si partnerë të luftojmë së bashku për këto rregulla,” tha Hoxha.

Shpenzimi i parasë publike përmes prokurimit mbetet sfidë dhe njëherësh konsiderohet fusha më e korruptuar si në raporte vendore, po ashtu edhe në ato ndërkombëtare.