Komuna e Lipjanit - Foto: Facebook / Komuna e Lipjanit

Komuna e Lipjanit zhvilloi 14 procedura të prokurimit jashtë planit dhe pa njoftim

Komuna e Lipjanit ka zhvilluar procedura të prokurimit jashtë planit të prokurimit dhe pa njoftim paraprak të Agjencisë Qëndrore të Prokurimit (AQP).

Në raportin e pasqyrave financiare të Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) thuhet se komuna kishte kryer 14 aktivitete prokurimi më shumë nga ato që i kishte paraparë në planin final.

Komuna e Lipjanit, në planifikimin final të prokurimit kishte përfshirë gjithsej 108 aktivitete të prokurimit për furnizime, punë dhe shërbime, të cilat janë prokuruar gjatë vitit fiskal 2020.

Por sipas ZKA-së, raporti i kontratave të realizuara dëshmon se në vitin 2020 janë realizuar edhe 14 aktivitete të cilat nuk ishin përfshirë në planin final të prokurimit, prej tyre 8 aktivitete të prokurimit janë zhvilluar për COVID-19, kurse 6 të tjera lidhen me projekte kapitale, ku vlera e këtyre projekteve është 394,154 euro.

Nga ZKA tutje theksohet se, kjo tregon se në planin e prokurimit nuk janë përfshirë të gjitha nevojat për furnizime, punë dhe shërbime.

“Për më tepër, për aktivitetet e zhvilluara jashtë planit, nuk është dërguar në AQP një kopje e deklaratës përkatëse të nevojave dhe përcaktimit të disponueshmërisë së fondeve para inicimit të aktivitetit përkatës të prokurimit”, thuhet tutje në raport.

Auditori thekson se, bazuar në Nenin 8 të Ligjit për Prokurimin Publik, Autoriteti Kontraktues duhet të bëj planin e prokurimit, në të cilin identifikohen me detaje të arsyeshme të gjitha furnizimet, shërbimet dhe punët, që AK parasheh t’i prokurojë gjatë vitit fiskal në fjalë.

Në këtë ligj parashohet edhe që nëse aktiviteti i prokurimit nuk është përfshirë në planifikimin final të prokurimit, duhet të njoftohet Agjencia Qendrore e Prokurimit të paktën 5 ditë para autorizimit të inicimit të aktivitetit të prokurimit.

Sipas ZKA-së, Pasqyrat Financiare Vjetore të Komunës së Lipjanit, prezantojnë një pamje të drejtë dhe të vërtetë në të gjitha aspektet materiale, në përputhje me Standardet Ndërkombëtare të Kontabilitetit për Sektorin Publik, sipas kontabilitetit të bazuar në para të gatshme

Raportin e plotë të ZKA-së për Komunën e Lipjanit e gjeni këtu.

Komuna e Lipjanit shpenzoi paratë e ndara për COVID-19 në mirëmbajtje të rrugëve